Lajme

Investigimi i BBC: Forcat speciale britanike raportuan vrasje të paligjshme në Afganistan


Operativët e SAS-it (Forcat Speciale të Ushtrisë Britanike) në Afganistan vranë vazhdimisht të burgosur dhe burra të paarmatosur në rrethana të dyshimta.

Lajmi u bë i ditur pas investigimit të transmetuesit britanik “BBC”.

Raportimet ushtarake të marra rishtazi sugjerojnë se një njësi mund të ketë vrarë në mënyrë të paligjshme 54 njerëz në një turne gjashtë mujor.

Pas publikimit të investigimit, Ministria britanike e Mbrojtjes theksoi se trupat “shërbyen me guxim dhe profesionalizëm në Afganistan”.

Sipas BBC-së, Sir Mark Carleton-Smith, ish-kreu i Forcave Speciale, u informua për vrasjet e supozuara të paligjshme.

Por ky i fundit, nuk ia kaloi provat Policisë Ushtarake Mbretërore, edhe pasi filloi një hetim për vrasje në skuadriljen e SAS-it.

“BBC Panorama” analizoi qindra faqe të llogarive operacionale të SAS-it.

Kjo, duke përfshirë raporte që mbulonin më shumë se një duzinë bastisjesh “vrisni ose kapni” të kryera nga një skuadrilje e SAS-it në Helmand gjatë viteve 2010-2011.

Individët që shërbyen në atë vendndodhje i thanë BBC-së se ishin dëshmitarë “të operativëve të SAS-it të cilët vrisnin njerëz të paarmatosur gjatë bastisjeve të natës”.

Ata gjithashtu shtuan se i panë operativët duke përdorur të ashtuquajturat “armë në tokë” – AK-47 të vendosura në një vendngjarje për të justifikuar vrasjen e një personi të paarmatosur.

Disa njerëz që shërbyen me Forcat Speciale thanë se skuadriljet e SAS-it po konkurronin me njëri-tjetrin për të marrë sa më shumë vrasje.

“E-mailet e brendshme tregojnë se oficerët në nivelet më të larta të Forcave Speciale ishin të vetëdijshëm se kishte shqetësime për vrasje të mundshme të paligjshme, por nuk i raportuan dyshimet policisë ushtarake, pavarësisht nga detyrimi ligjor për ta bërë këtë”, vëren në përmbyllje BBC-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore