Lajme

Intervistë me gazetarin britanik që e intervistoi Albin Kurtin – Pse e quajti Kryeministrin e Kosovës “çun shkolle që s’i pëlqen askujt”


“Nuk më duket se hyrja e intervistës sime është ofenduese për Kurtin dhe nuk kam pasur ankesa për tekstin nga zyra e kryeministrit”, thotë Richard Spencer, gazetari i gazetës prestigjioze britanike The Times kur pyetet nga Albanian Post për përshkrimet si “çuni që nuk i pëlqen askujt” dhe “njeriu që do të bëhet si Zelensky” në artikullin ku ka intervistuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Spencer, që dikur punonte për gazetën “The Daily Telegraph”, e fillon tekstin e tij për Kurtin duke shkruar se “Kryeministri i Kosovës ka vështrimin e lënduar të një çuni të ri në shkollë që mendon se ka bërë krejt çfarë është dashur për t’u përshtatur në shoqëri dhe prapë askujt nuk i pëlqen”.

“Më duket një mënyrë normale dhe jashtëzakonisht e arsyeshme si hyrje për subjektin e intervistës në rrethanat aktuale”, thotë Spencer.

Gazetari britanik brenda tekstit ka edhe intervistën me Kurtin, por pjesa më e madhe e artikullit nuk përfshinë deklarime nga ai. Më shumë është e ndërtuar si përshkrim i Spencer për situatën dhe referime të disa diplomatëve anonimë, të cilët po ashtu s’kanë fjalë të mira për Kryeministrin e Kosovës.

Por, Spencer deklarohet se në Britani të Madhe “ne themi fjalë shumë më të këqija për kryeministrat tanë”.

Duke përshkruar konfliktin e fundit në Veri të Kosovës, ku pati edhe përplasje njëherë mes policisë e protestuesve të dhunshëm e më pas edhe mes KFOR-it e të njëjtëve protestues, Spencer thotë në artikull se “kriza e fundit në Ballkan mund të tingëllojë triviale”, meqë ajo ka të bëjë me katër kryetarë dhe futjen e tyre në zyra pune.

Insistimi për t’i vendosur ata në zyrat në objektet komunale – shkruan Spencer – kryeministrin e Kosovës e ka vendosur “jo vetëm kundër Vuçiç-it, por kundër forcave që me intervenimin e tyre ushtarak çuan në pavarësinë e Kosovës”.

Përtej përshkrimeve të tij, ai thotë se disa diplomatë i kanë thënë se “Kurti erdhi me tiketën e anti-korrupsionit në pushtet, por tani po provon ta pozicionojë vetën si Zelensky i ri”.

Të njëjtit, shkruan Spencer, i kanë thënë se me mënyrën se si Kurti u është referuar bandave si “milici fashiste”, ai rrezikon “t’i çojë serbët e zakonshëm në krahët e tyre”.

Por, kush janë këta diplomatë me të cilët ka folur Spencer? Janë diplomatë amerikanë, evropianë, veprojnë jashtë apo brenda Kosovës?

Gazetari britanik nuk përgjigjet në asnjë nga këto pyetje të Albanian Post.

“Për atë se kush janë diplomatët, besoj se e kam qartësuar mjaftueshëm në artikull”, deklaron.

Intervista e Kurtit për The Times me gazetarin Richard Spencer është vetëm një nga shumë intervistat në media ndërkombëtare që kohëve të fundit ka dhënë kryeministri.

Ai ka folur për BBC, BBC Radio, CNN, Washington Post, The Guardian, Politico e shumë mediume të tjera.

Interesimi i madh i zyrave mediatike botërore ka pasur të bëjë me frikën se një front i dytë lufte mund të shpërthejë në Evropë dhe burimi mund të jetë Veriu i Kosovës.

Një tjetër shkrim me nota negative për Kurtin ishte edhe opinioni i gazetarit gjerman, Michael Martens, për Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Kush po bënë lojë false në Kosovë?”, pyet në titull Martens, për të shkruar më pas se mënyra se si po operon Kurti në Veri i shkon shumë në favor presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me Martnes rreth komentit të tij.

“Çfarë kam pasur ta them e kam thënë në shkrim dhe s’kam çka shtoj më”, deklaroi Martens për AP-në.

“Kushdo le ta kuptojë e le ta marri si të dojë”, tha.

Edhe Martens kishte realizuar më parë një intervistë me Kurtin, edhe atëherë në një kohë krize në Veri.

Pikërisht në atë intervistë kishte thënë Kurti se vendosi të heqë dorë nga vendimi i tij për të konfiskuar targat ilegale me “KM” dhe për të vendosur ato me “RKS”, sepse “ambasadori amerikan më tregoi disa informacione që unë nuk i kisha”.

Megjithatë, ishte krijuar zhurmë e madhe, sepse kjo pjesë njoftuese e intervistës së Martens, më pas nuk ishte paraqitur fare në intervistën e plotë.

Kur Albanian Post e pati pyetur Martens-in “pse?”, ai u shpjegua se thjesht nuk e kishte parë mjaftueshëm të rëndësishme, në raport me deklarata të tjera që kishte brenda intervistës me Kurtin.

“Kam vendosur vetë, s’ma ka kërkuar askush nga ekipi i kryeministrit Kurti. Madje, po të ma kërkonin do ta lija me qëllim”, thoshte atëherë Martens.

Kurti për FAZ: Nuk jam kokëfortë, jam parimor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore