Lajme

Intervistë | Ish-eurodeputeti katalanas: Spanja do të jetë e fundit që do ta njohë Kosovën – Borrell e Lajçak s’kanë “prestigj neutraliteti”


Albanian Post/Ilustrim: Josep Maria Terricabras

Filozofi, profesori dhe politikani katalanas nga Spanja, Josep Maria Terricabras, i cili ka qenë edhe deputeti i Parlamentit Evropian, në një intervistë për Albanian Post, flet për dialogun Kosovë-Serbi, qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës dhe rebusin Kosovë-Katalonjë në politikën spanjolle.

Spanja është një nga pesë shtetet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Logjika është e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Kosova ka të drejtën e pavarësisë, atëherë të njëjtin opsion duhet t’ia lejonte edhe Katalonjës, rajon ky që prej kohësh synon pavarësinë nga Spanja.

BE-ja si institucion dhe Spanja në vecanti ishin zotuar se pas arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, do të ndryshonte edhe qëndrimi ndaj Kosovës, por edhe pse marrëveshja erdhi në njëfarë forme, nuk ka asnjë lëvizje drejt njohjes së Kosovës.

Në mesin e shteteve tjera mosnjohëse – Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro – qeveria spanjolle do të jetë e fundit që do të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, vlerëson Terricabras, i cili ndër të tjera e sheh me dyshim edhe punën e lehtësuesve Josep Borrell (spanjoll) dhe Miroslav Lajçak (sllovak).

Investimi i BE-së që në mandatin e Borrellit dhe Lajçakut të arrihet deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte vlerësuar si një ndër simbolikat më të fuqishme në procesin e dialogut, por sipas Terricabras, dyshes sllovako-spanjolle iu mungon “prestigji i neutralitetit”.

Katalonja është një ndër rajonet më të pasura të Spanjës dhe gëzon një nivel mjaft të lartë autonomie, mirëpo sipas Terricabras, kjo autonomi është shumë më e dobët se ajo e baskëve apo andaluzianëve, prandaj edhe nuk e sheh fort problematike njëfarë niveli të “vetëmenaxhimit” për serbët e Kosovës.

“Është gjë e mirë dhe demokratike të njihen grupet minoritare, por ato duhet t’u nënshtrohen rregullave të përgjithshme të miratuara nga shumica. Pse jo? Por mos bëni gabime: pikërisht niveli i vetëmenaxhimit në Katalonjë është, për mendimin tim, mjaft i ulët”, tha ai.

Ndërkaq, duke komentuar situatën gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor pas agresionit rus në Ukrainë dhe mbështejen e Rusisë për aleatët e saj sllavë në Serbi dhe gjetkë në rajon, tha se në të ardhmen rajoni nuk duhet të jetë totalisht anti-rus, por as nuk duhet t’i nënshtrohet Rusisë.

Intervista e plotë e Albanian Post me Profesor Josep Maria Terricabras nga Universiteti i Gironës në rajonin e Katalonjës në Spanjë:

Albanian Post: Ju keni qenë ndër deputetët e parë të Parlamentit Evropian që keni mbështetur Pavarësinë e Kosovës dhe keni ngritur zërin për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian edhe pse Spanja nuk e njeh shtetin e ri. Pse?

Josep M. Terricabras: Kam pasur dhe kam dy arsye kryesore për këtë: a) shumica e kosovarëve  duan kështu; b) nëse e respektojmë një vendim të tillë, ne japim një kontribut të madh për paqen në atë zonë.

Albanian Post: Spanja do të jetë e gatshme ta njohë Kosovën nëse arrin një marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë Madridi, por edhe pse marrëveshja erdhi, nuk ka asnjë lëvizje drejt njohjes nga Spanja?

Josep M. Terricabras: Spanja nuk është e gatshme të pranojë vendime unilaterale e demokratike kur ato nuk i përshtaten. Nuk e pranon asnjë vendim ku Kosova të ndërhyjë sepse i frikësohet një vendimi unilateral të Katalonjës për pavarësinë e saj.

Albanian Post: Besoni se Spanja do ta njohë Kosovën në një të ardhmen e afërt? Nëse Spanja do të ndryshonte mendje, mendoni se edhe vendet e tjera brenda BE-së (Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania) ndoshta do ta bënin këtë?

Josep M. Terricabras: Spanja do të jetë e fundit që do ta njohë Kosovën. Nuk mund të ushtrojë asnjë ndikim mbi vendet e tjera.

Albanian Post: Si e shihni përformancën e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell, duke pasur parasysh se një nga kritikat kryesore ndaj Lajçakut ishte se ai bashkë me Borrellin vijnë nga dy vende që nuk e njohin Kosovën?

Josep M. Terricabras: Kritikat ndaj Lajçakut dhe Borrellit janë të sakta. Këto ndërmjetësime mund të kryhen vetëm nga njerëz me prestigj neutraliteti.

Albanian Post: Spanja ngre paralele mes Katalonjës dhe Kosovës. Qëndron vërtet justifikimi i Madridit për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës? Sipas jush, cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet mes Katalonjës dhe Kosovës?

Josep M. Terricabras: Nëse dikush nuk e kupton se çdo rast është i ndryshëm, atëherë asgjë nuk kuptohet. Aktualisht, dallimi kryesor ndërmjet Kosovës dhe Katalonjës është se Kosova tashmë ka njohjen e shumicës së vendeve dhe se është urgjente të konsolidojë situatën e saj në favor të paqes ndërkombëtare.

Albanian Post: Qëllimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë vlerësohet të jetë përfaqësimi i interesave kolektive të atyre komunave me serbë etnikë. Në mesin e shqiptarëve është e përhapur frika se ky do të bëhet de facto satelit i Serbisë brenda Kosovës. Çfarë mendoni ju?

Josep M. Terricabras: Është gjë e mirë dhe demokratike të njihen grupet minoritare, por ato duhet t’u nënshtrohen rregullave të përgjithshme të miratuara nga shumica.

Albanian Post: Çfarë do të thotë në të vërtetë termi “[…] nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit” për komunitetin serb në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve? A mund të jetë ky “nivel i vetë-menaxhimit” i barabartë me atë të Katalonjës në Spanjë?

Josep M. Terricabras: Pse jo? Por mos bëni gabime: pikërisht niveli i vetëmenaxhimit në Katalonjë është, për mendimin tim, mjaft i ulët.

Albanian Post: Ballkani ka qenë qendra e konkurrencës së fuqive të mëdha për shekuj. Rusia ka luajtur prej kohësh një rol udhëheqës, duke mbështetur aleatët e saj sllavë të krishterë dhe ortodoksë në Serbi dhe gjetkë në rajon. Cili është roli i Rusisë në situatën që po shohim sot në rajon?

Josep M. Terricabras: Situata gjeostrategjike e botës po ndryshon shumë. Në të ardhmen Ballkani nuk duhet të jetë anti-rus, por as nuk duhet t’i nënshtrohet Rusisë. Nëse do ta bënin këtë, çfarë dobie do të kishte dhimbja e vuajtur për kaq gjatë? Është e rëndësishme të mbrohet dinjiteti dhe pavarësia e territoreve të ndryshme.

Albanian Post: Mendoni se Serbia përfundimisht po shkëputet nga ndikimi rus për t’u lidhur me Perëndimin? A mjafton vërtetë shtëpia e quajtur BE dhe kapitulli 35 që Serbia ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën apo parashikoni rikthim në status quo?

Josep M. Terricabras: Është e vështirë të parashikohet. Serbia është shumë e interesuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme në lidhje me Kosovën, me ndihmën e vetë Unionit [Evropian]. Por gjithçka do të jetë më e ngadaltë se e dëshirueshme derisa të arrihet një ndryshim i madh në pozicionin rus në atë rajon.

Albanian Post: Katalonja është një nga rajonet më të pasura dhe më të veçanta të Spanjës. Gjithashtu, gëzon një shkallë të lartë autonomie. Cilat janë marrëdhëniet aktuale mes Madridit dhe Barcelonës? Po e ëndërron Katalonja ende pavarësinë nga Spanja?

Josep M. Terricabras: Ndërkombëtarisht besohet shpesh se Katalonja ka një shkallë më të madhe autonomie sesa gëzon realisht; autonomia jonë është shumë më e dobët se ajo e baskëve, Madridit apo Andaluzisë. Për shembull, gjyqtarët kanë shkarkuar (në mënyrë të jashtëzakonshme!) presidentët dhe deputetët katalanas që ishin zgjedhur në mënyrë demokratike.

Kjo duhet denoncuar, sepse Spanja është një vend me deficite të mëdha demokratike. Ne vazhdimisht duhet të vendosim shpresën tonë te drejtësia e Bashkimit Evropian dhe kjo nuk duhet të konsiderohet normale në një vend demokratik. (Të mendosh për Hungarinë ose Poloninë ndihmon për të kuptuar më mirë problemin).

Shumë katalanas (unë jam në mesin e tyre) do të donin të ishin të pavarur nga Spanja. Shpresojmë që në një të ardhme jo shumë të largët të votojmë në mënyrë demokratike për këtë çështje shumë themelore.

Intervista për herë të parë është publikuar me 5 prill 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore