Sport

Inter-i udhëton në Crotone për titullin


Inter-i do të udhetojë në Crotone për javën e 34-të të Serisë A. Ndeshja do të luhet në “Stadio Ezio Scida” duke filluar nga ora 18:00.

Inter-i i Antonio Conte-s do të ketë një ndeshje të lehtë në letër përballë Crotone-s. Zikaltrit udhëheqin Serinë A me 79 pikë, pas 33 javësh. 11 pikë më shumë ka Inter-i nga Atalanta e vendit të dytë dhe një fitore me Crotone-n do e afronte më shumë me titullin, duke mos iu dashur të presi fundin e kampionatit për të festuar.

Ndërkohë, vendasit e Crotone-s renditen të fundit në Serinë A. Pas 33 javësh ata kanë grumbulluar 18 pikë. Prakitikisht, mbijetesa për vendasit duket mision “i pamundur”.

Crotone vjen në këtë ndeshje pas fitores me Parma-n, në shifrat 3-4. Ndërsa, Inter-i vjen pas fitores minimale 1-0 me Hellas Verona-n, por në ndryshim, miqtë nuk kanë asnjë humbje për këtë fazë të dytë të kampionatit.

Përballja e fundit mes Inter-it dhe Crotone-s ishte gjatë fazës së parë të Serisë A në këtë sezon. Ndeshja përfundoi me fitoren e thellë të zikaltërve me shifrat 6-2. Tre golat e Lautaro Martinez-it, një gol i Romelu Lukaku-t, një gol i Achraf Hakimi-t dhe një autogol i Luca Marrone-s i dhanë fitoren bindëse Inter-it atë ndeshje.

Në ndeshjen e së shtunës, tekniku i Crotone-s, Serse Cosmi, pritet ta rreshtojë ekipin me skemën 3-4-1-2: Cordaz, Djidji – Golemiç – Magallan, Reca – Zanellato – Cigarini – Molina, Messias dhe Simy – Ounas.

Inter-i i Conte-s pritet të rreshtohet me skemën 3-5-2: Handanoviç, Bastoni – De Vrij – Skrinar, Perisiç – Eriksen – Brozoviç – Barella – Hakimi, Martinez – Lukaku.

Ndeshjen e radhës Crotone do e ketë përballë Roma-s në kryeqytet më 9 maj, ndërsa Inter-i do të presë Sampdoria-n, më 8 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore