Sport

Inter-i refuzon ofertën e PSG-së për Skriniar


Kapiteni i Inter-it, Milan Skriniar, tashmë mund të quhet një futbollist i Paris Saint-Germain.

Në ditët e fundit, sllovaku vetë e pranoi qe ka nënshkruar një para-kontratë me klubin nga Parisi, megjithatë ende është në pronësi të Inter-it, të paktën deri në qershor.

Parisienët po tentojnë ta transferojnë qendërmbrojtësin në këtë afat kalimtar të janarit, derisa së fundmi kanë bërë një ofertë prej 8 milionë euro plus 2 të tjera në formë të bonuesve.

Megjithatë, mediat në Itali raportojnë që zikaltrit e kanë refuzuar këtë ofertë pa u menduar fare.

Tek Inter-i janë të vetëdijshëm që do ta humbasin Skriniar-in me parametra zero në verën e ardhshme, por dëshirojnë të fitojnë më shumë nga shitja e tij në janar.

Pra mbetet të shihet në orët në vazhdim se a do të transferohet Skriniar në PSG, kur kanë mbetur edhe më shumë se 12 orë në afatin kalimtar dimëror, apo do të presë verën për të zbarkuar në kryeqytetin francez.

Kujtojmë që Inter- refuzoi rreth 70 milionë euro nga PSG-ja për Skriniar-in në verën e kaluar.

Ndërkohë, 27-vjeçari është pjesë e klubit nga Milano që nga viti 2017, kur u transferua nga Sampdoria për shumën e 35 milionë eurove.

Deri më tani, ai ka zhvilluar 242 ndeshje në të gjitha garat me fanellën zikaltër, prej të cilave ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar pesë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore