Shqipëria

Instituti prestigjoz IPSOS do të mbulojë sondazhet e zgjedhjeve parlametare në Shqipëri


Sondazhet e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, do të mbulohen nga Instituti Specialist i Kërkimit për Tregun Global dhe Opinionin Publik  (IPSOS).

Televizioni Top Channel, i cili ka lidhur kontratën me institutin e njohur, e ka bërë me dije lajmin këtë të hënë.

Të dhënat e sondazheve do të jepen një herë në muaj dhe do të bëhen më të shpeshta në javët para zgjedhjeve.

IPSOS është një nga institutet lider në bërjen e sondazheve. Ky institut ka qënë i pajtuar nga televizionet më të mëdha botërore, fondacionet dhe kompanitë më prestigjoze për të realizuar sondazhe politike dhe jo vetëm.

IPSOS është partner i Reuters-it, Bankës Botërore, UNICEF-it, Forumit Ekonomik Botëror etj. Ka kontribuar në sondazhe për Brexit-in, përqindjen e personave që do marrin vaksinën apo në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara te Amerikës (SHBA).

IPSOS  është themeluar nga Didier Truchot në Paris, Francë në vitin 1975.

Në vitet 1990 deri në 1998, kompania zgjerohet në Europë dhe në Amerikë.

Tashmë Qendra Shkencore e IPSOS-it është një skuadër me të dhëna shkencore, që bazohet tek statistikat dhe shkencat kompjuterike.

Metodologjia

Për të shpjeguar metodologjinë e sondazheve, në emisionin Open, ishte i ftuar Drejtori i Përgjithshëm i kërkimeve elektorale, Oliviero Marchese.

Ai shpjegoi që pyetësori do të ketë çështje që do prekin partitë politike. Sa besueshmëri kanë qytetarët tek këto të fundit? Cila parti ofron zgjidhje të problemeve individuale që mund të ketë qytetari?  Qytetarët do të pyeten nëse do shkojë të votojnë apo jo? Sa të bindur janë ata për t’ia dhënë votën partisë X dhe a mund të ndryshojnë mendim më vonë?

Kur u pyet se si do realizohej sondazhi, ai u shpreh që kampioni për çdo sondazh do jetë prej 1 mijë e 500 intervistash. Do shpërndahet në të 12 qarqet. Kampioni do të intervistohet në telefon fiks dhe celular.

Marchese shtoi që do të ketë dhe një kampion që do bëhet online. Arsyeja është që të evidentohen zgjedhësit e rinj, të cilët janë më të vështirë për tu arritur në celular.

Drejtori i Përgjithshëm parashikoi një marzh gabimi prej 3% nga rezultati real./AlbanianPost.com

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore