Lajme

Instituti GAP: 114 mijë nxënës më pak në nivel të komunave të Kosovës


Instituti për Studime të Avancuara (GAP), ka mbajtur një tryezë diskutimi në lidhje me nevojën për ristrukturimin e institucioneve edukative arsimore para universitare, me temën “A kemi shkolla të tepërta”.

Instituti GAP ka siguruar disa të dhëna nga statistikat vjetore të Ministrisë së Arsimit dhe nga 19 komunat e Kosovës.

Sipas këtij instituti qëllimi kryesor i këtij hulumtimi ka qenë fakti se për një periudhë kohore numri i nxënësve është zvogëluar dhe ka një rritje të lehtë të mësimdhënësve.

Hulumtuesi i lartë në institutin GAP, Bekim Salihu, e ka konsideruar të nevojshme adresimin e problemit të rënies së numrit të nxënësve në komuna.

Sipas tij, në vitin 2010 ishin rreth 444 mijë nxënës ndërkaq në vitin 2020, ishin 330 mijë nxënës, gjë që tregon se ka një rënie të numrit të nxënësve për 114 mijë.

“Kemi shikuar udhëzimet që i ka hartuar MASHT në 10 vitet e fundit dhe në asnjë rast nuk kemi hasur që ministria e arsimit të ketë adresuar problematiken e rënies së numrit të nxënësve në komuna. Konsideroj që kjo është e nevojshme për shkak se të gjeturat e raportit tregojnë që krahasuar me vitin 2010-2020, numri i nxënësve në nivel të komunave të Kosovës ka rënë për 114 mijë”, është shprehur ai.

Ai tutje ka theksuar se MASHT përveç kompletimit të bazës ligjore dhe hartimit të strategjive dhe planeve konkrete është koncentruar gjatë këtyre viteve në ndërtimin e objekteve shkollore.

“Instituti GAP ka gjetur që në vitin 2015 deri 2020 kjo ministri ka investuar 134 milionë euro, shumë kjo që nuk është totali i investimeve në rrjetin e shkollave nëpër komuna për shkak se edhe vet komunat investojnë në këto shkolla”, shtoi Salihu.

Ai tutje ka potencuar se shuma e investimeve në rrjetin e shkollave në vitet e fundit është relativisht e lartë ndërkaq i gjithë investimi është bërë pa ndonjë studim paraprak nëse ky ndërtim i shkollave do t’u shërbejë nxënësve.

“Në gjithë Kosovën ekzistojnë një mijë e 094 institucione të sistemit para universitar dhe ky numër edhe mund të rritet për shkak të paralajmërimeve të ndryshme për të vazhduar me investimet në zgjerimin e rrjetit të shkollave në komunat e Kosovës”.

Shqetësuese për Salihun mbetet fakti se raporti ka gjetur që nga 19 komuna të cilat janë marrë si target studimi në këtë raport, 340 klasë kanë më pak se pesë nxënës ndërkaq 642 klasë kanë deri në 10 nxënës.

Bazuar në këtë raport përveç komunës së Fushë Kosovës, Zveçanit, Novobërdës, ku ka një rritje të numrit të nxënësve në të gjitha komunat e tjera ka një rënie të numrit të nxënësve.

“Rënien më të madhe të numrit të nxënësve e ka komuna e Kamenicës me -44% pastaj Juniku -42%, Vitia -39%, Dragashi me -39%, Prishtina me -13%, Peja me -24%, Prizreni me -24%, Gjilani -36%, Gjakova -32%”, sqaroi Salihu.

Në anën tjetër ai ka theksuar se përderisa ka një rënie kaq të madhe të numrit të nxënësve, në mënyrë paradoksale ka edhe një rritje të numrit të stafit të mësimdhënësve për dy për qind.

“Komuna e Vitisë me -39% më pak nxënës ka 10% më shumë staf krahasuar me periudhën 2010, ndërkaq Juniku -42 % më pak nxënës ka 22% më shumë staf, ndërsa Fushë Kosova  me 17% më shumë nxënës ka 1% ma shumë staf”.

Ndërkohë, Shqipe Bruçi, ushtruese e detyrës së rolit të drejtoreshës së departamentit për arsim para universitar të MASHT-it, ka pohuar se të dhënat e paraqitura janë reale.

“Në viset rurale kemi një rënie të numrit të nxënësve kurse një rritje të këtij proporcioni e kemi në qendrat urbane, vazhdimisht kemi zvogëlim të paraleleve mirëpo mbyllja e tyre nuk ka qenë pa ndonjë diskutim paraprak”, ka thënë ajo.

Zvogëlimin e stafit mësimor, Bruçi e sheh si një problem në vete.

“Është problem të zvogëlohet stafi mësimor sepse një klasë e nivelit 1-5 pavarësisht sa është numri i nxënësve në atë klasë e ka një mësimdhënës si mësues klasor por në bazë të korrikulës në klasën e tretë shtohet edhe gjuha angleze dhe automatikisht rritet numri i mësimdhënësve në këtë proporcion”.

Meqë numrin më të madh të zvogëlimit të nxënësve në shkolla e ka komuna e Kamenicës, i pranishëm në këtë tryezë diskutimi ishte edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili ka treguar se në këtë komunë, shtatë shkolla kanë më pak se pesë nxënës, njëra prej tyre katër nxënës dhe mbi 15 punëtor arsimor.

“Mbi 50% e objekteve shkollore në Kamenicë i kishin më pak se 70 nxënës”, ka theksuar Kastrati.

Tutje, Kastrati ka treguar se këto objekte shkollore në Kamenicë, përballen me mungesë të kushteve elementare, ku çdo shkollë do duhet të jetë e pajisur me to.

“15 shkolla nuk kanë kabinete të informatikës ose 51% e tyre, 26 shkolla nuk kanë kabinete kimi, biologji, fizikë e gjuhëve të huaja ose 89% e tyre, 29 shkolla nuk kanë salla sportive të brendshme ose 82% e tyre, tetë shkolla nuk kanë tualete funksionale, 11 nuk kanë mjedis higjienik, 10 shkolla nuk kanë hapësira rekreative dhe tetë shkolla nuk kanë aneks të drejtpërdrejt në rrugë”.

Sipas tij, këto kanë qenë problemet në të cilat komuna është dashur të investojë, por buxheti për investime kapitale në komunën e Kamenicës ishte 124 mijë euro gjithsejtë e në arsim vetëm 30 mijë euro, gjë që sipas Kastratit është shumë e vogël për arritjen e investimeve në të gjitha shkollat.

“Me këto nuk ka mundësi të zgjidhet problemi, por pse po del problemi që kemi kaq pak buxhet, është se me zvogëlimin e numrit të nxënësve, granti i arsimit na paguan një mësimdhënës për 21.3 nxënës kurse ne mesataren e kishim një me katër, mbi 1 milionë e 600 mijë na shkonin vetëm paga për mësimdhënës”, është shprehur ai.

Kurse duke u parë nga perspektiva e avokatit të popullit, Naim Qelaj, ka thënë se “qasja e avokatit të popullit nuk ndryshon, megjithëse faktet e reja të cilat po prezantohen tregojnë nevojën për me marrë masa urgjente për më ndërhy në mënyrë që të zgjidhet kjo çështje në nivel vendi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore