Shqipëria

INSTAT: Zhvillimi ekonomik në Shqipëri, i pabarabartë mes rajoneve


Kukësi, Qarku më i varfër në Shqipëri/ Burimi: INSTAT

Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT) ka publikuar një studim lidhur me zhvillimin ekonomik të rajoneve, i cili mbetet i pabarabartë në dekadën e fundit. Rajoni i Qendrës ka një rritje të reflektuar prej 3.4% në vit, Rajoni i Veriut me 2.4% në vit dhe Jugu me 2.6%.

Një nga shkaqet që ka ndikuar negativisht në zhvillimin e ulët ekonomik të rajoneve jashtë Tiranës dhe Qendrës, janë emigrimi i lartë dhe mungesa e politikave zhvillimore nëpër qarqe.

Kukësi, i cili është qarku më i varfër, shënoi një rënie me 2.7%.

Rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë dekadës së fundit ka një shpërndarje të pabarabartë nëpër rajone të ndryshme.

Ndërsa qendra “gëzon” një rritje ekonomike, rajonet veriore dhe jugore kanë një rritje nën mesataren kombëtare.

Të dhënat e Qarqeve të Dibrës dhe Kukësit tregojnë se këto dy rajone veriore, të shpopulluara nga emigracioni, janë varfëruar më tej gjatë dekadës së fundit.

Nga publikimi i fundit i INSTAT mbi ndryshimet në Prodhimin e Brendshëm të Bruto (PBB) të Rajoneve rezultoi se në tre qarqe ekonomia ishte me rënie për vitin 2019. Dibra me 3%, Kukësi me 2.8% dhe Berati me 2%%.

Qarqet me rritje të lartë ekonomike ishin Durrësi me 4.3%, Gjirokastra me 4%, Fieri me 3.25% dhe Tirana mbi 2.5%.

E ndarë sipas rajoneve, qendra ku bën pjesë Tirana dhe Elbasani u rritën mbi mesataren kombëtare me 2.2%. Rajoni i Veriut me qarqet e Dibrës, Kukësit, Durrësit, Lezhës, Shkodrës u rrit me 2.1% thuajse në mesataren kombëtare.

Kjo, për shkak të zgjerimit ekonomik të Durrësit, i cili në vitin 2019 reflektoi zhvillime pozitive në turizëm.

Rajoni i Jugut me qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës u rrit 1.78% me ritme më të ulëta se mesatarja kombëtare. Kjo, për shkak të ndikimeve negative në ekonominë e Beratit.

Gjatë 10 viteve të fundit, ekonomia e rajonit të Qendrës është rritur mesatarisht me 3.4% në vit, Rajoni i Veriut u rrit mesatarisht me 2.4%, ndërsa i Jugut me 2.6%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore