Lajme

Incidenti në Veri, Sveçla: Serbi që u plagos nuk iu bind urdhërave të Policisë


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për incidentin në Veri ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës dyshohet që ka përdorur armë zjarri, ku si pasojë ka mbetur një qytetar serb i plagosur.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se “pas informatave të para për plagosjen e një qytetari në rrugën nacionale mes Leposaviqit dhe Zveçanit, Policia e Kosovës por edhe Inspektoriati Policor i Kosovës kanë filluar hetimet intenzive”.

Ai tha se sipas hetimeve të para, “pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit”.

“Pas kësaj, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J”, shtoi ai.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm tha se pas intervistimit nga ana e Inspektoriatit Policor dhe me vendim të Prokurorit, “4 zyrtarë policor janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë me dyshimin se tre zyrtarë policorë nuk kishin raportuar lidhur me rastin dhe një zyrtar për mos raportim si dhe për përfshirjen e tij në rast”.

“Të njëjtit gjatë ditës me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga PK”.

Ndërsa, nënvizoi se në mënyrë që ngjarja të zbardhet, hetimet do të vazhdojnë intenzivisht, dhe shtoi se “gjithsecili që ka bërë shkelje do të ballafaqohet me ligjin”.

Ndryshe, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media këtë të marte ka bërë të ditur se janë siguruar dëshmi që tregojnë dyshime për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në një gjuajte me armë zjarri, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person, ndryshe nga deklarata e të hënës ku e mohuan një gjë të tillë.

“Policia e Kosovës, lidhur me rastin e ndodhur në orët e vona të datës 10.04.2023 në veri të vendit, ku nga arma e zjarrit ishte plagosur një person, ka vazhduar hetimet intensive me njësitet relevante policore nga niveli rajonal dhe ai qendror, me qëllim të hetimit dhe ndriçimit sa më parë të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, aty thuhet se si rezultat “i hetimeve të pandërprera dhe i angazhimeve të njësiteve policore në vendin e ngjarjes, si dhe si rezultat i ekzaminimit të dëshmive të siguruara, është arritur të sigurohen dëshmi të cilat tregojnë dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në gjuajtje me armë zjarri”.

“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi i njëjti nuk kishte raportuar lidhur me rastin dhe për përfshirjen e tij në rast, nga ku PK-ja kishte lëshuar njoftim se nuk ka qenë e përfshirë në shkëmbim apo gjuajtje me armë zjarri. Po ashtu janë marrë masa të suspendimit edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

Zyrtare: “Një polic mund të jetë përfshirë në sulmin me armë zjarri në Veri”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore