Lajme

Imran Khan-it i hiqet e drejta për të kandiduar në zgjedhje


Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është skualifikuar nga kandidimi për poste politike për pesë vjet.

Komisioni Zgjedhor i Pakistanit e mori këtë vendim pasi u zbulua se ai mashtronte zyrtarët për dhuratat që kishte marrë nga udhëheqës të huaj gjatë kohës që ishte në pushtet.

Imran Khan-i akuzohet për përfshirje në praktika korruptive.

“Ne do ta kundërshtojmë atë në Gjykatën e Lartë të Islamabad-it”, tha në një deklaratë një nga avokatët e tij.

Çështja përqendrohet në një departament qeveritar të njohur si Toshakhana, i cili gjatë epokës Mughal u referohej “shtëpive të thesarit” të mbajtura nga sundimtarët princër të nënkontinentit për të ruajtur dhe ekspozuar dhuratat që u jepeshin atyre.

Zyrtarët qeveritarë duhet të deklarojnë të gjitha dhuratat dhe lejohen t’i mbajnë ato nën një vlerë të caktuar.

Artikujt më të shtrenjtë duhet të shkojnë në Toshakhana, por në disa raste marrësi mund t’i blejë ato me rreth 50% të vlerës së tyre, një vlerë që Khan e ngriti me 20% kur ishte në detyrë.

Gazetat pakistaneze kanë botuar për muaj me radhë histori duke pretenduar se ai dhe gruaja e tij kanë marrë dhurata luksoze me vlerë miliona gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Ato përfshinin orë luksoze, bizhuteri, çanta stilistësh dhe parfume.

Ankesa në komisionin zgjedhor u paraqit për herë të parë kur ish-Kryeministri, ishte ende në detyrë nga Lëvizja Demokratike e Pakistanit, një koalicion anëtarët e të cilit tani përbëjnë qeverinë.

Në atë kohë, ai tha se nuk kishte bërë publike disa dhurata për arsye të sigurisë kombëtare, por në një dorëzim me shkrim pranoi se kishte blerë sende me vlerë rreth 22 milionë rupi, dhe më vonë i shiste ato për më shumë se dyfishin e kësaj shume.

Mbështetës të tij u mblodhën të premten në disa qytete të vendit, përfshirë Islamabadin, për të protestuar kundër vendimit.

Gjatë protestës pati përleshje me policinë, spitalet u vunë në gatishmëri të lartë dhe siguria u shtua me forca paraushtarake të vendosura në kryeqytet.

Ndërkohë, partitë politike nga Qeveria festuan vendimin duke shpërndarë ëmbëlsira në disa qytete.

Ahmed Bilal Mehboob, president i Institutit të Zhvillimit Legjislativ dhe Transparencës në Pakistan, tha se vendimi do të minonte platformën kundër korrupsionit që, ish-Kryeministri, ishte përpjekur ta krijonte të tijën.

Gjithashtu ai tha se ishte e vështirë të kuptohej baza e skualifikimit.

Khan-i mban rregullisht mitingje duke tërhequr dhjetëra mijëra qytetarë në të gjithë vendin me fjalimet e tij me fokus kritikat ndaj institucioneve shtetërore, përfshirë ushtrinë.

70-vjeçari është përpjekur të destabilizojë procesin politik të Pakistanit që kur u rrëzua në prill, kur ai urdhëroi të gjithë deputetët e tij të heqin dorë nga vendet e tyre, duke mos lënë asnjë anëtar të PTI-së në asamblenë kombëtare.

Ai është zotuar gjithashtu të shpallë datën e një “marshimi të gjatë” të mbështetësve të tij në kryeqytet për t’i bërë presion Qeverisë që të shpallë një zgjedhje kombëtare më të hershme sesa ato të planifikuara për tetorin e vitit të ardhshëm.

Khan erdhi në pushtet në vitin 2018 me një platformë populiste, që premtonte reforma sociale, konservatorizëm fetar dhe luftë kundër korrupsionit, duke përmbysur dekada të sundimit nga dy dinastitë politike.

Por gjatë mandatit të tij ekonomia ngeci dhe ai humbi mbështetjen e ushtrisë, e cila më vonë u akuzua se e ndihmoi atë për të ardhur në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore