Shqipëria

IKMT vijon aksionin në Kavajë, prishen ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti


Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Shqipëri ka njoftuar se, në vazhdën e aksioneve në vijën bregdetare të Kavajës, po prishen edhe disa kabina të vjetra pushimi.

Këto godina ishin të ndërtuara pranë zonës së plazhit që në vitet 1960.

Sipas IKMT-së, ato kanë qenë të parikonstruktuara, ndërsa vetëm pak javë më parë nga Bashkia e Kavajës u mor vendimi për shembjen e tyre.

Po ashtu, në godina jetonin 12 familje, kryesisht të komunitetit rom.

Ata nuk zotëronin dokumentet e duhura të pronësisë dhe, për këtë arsye, janë lajmëruar t’i lironin.

Sipas Bashkisë së Kavajës, godinat po shemben për arsye sigurie, për shkak se kanë pësuar dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit.

Godinat janë në vijë të parë bregdetare, vetëm 50 metra larg detit, ndërsa nuk ka një numër ekzakt të atyre që do të shemben.

Deri më tani, Bashkia ka njoftuar vetëm për shembjen e godinave, por ajo nuk ka sqaruar se si do të shfrytëzohet territori që mbetet bosh.

Ledio Hysa, drejtor i shërbimeve në Bashkinë e Kavajës, u shpreh se banorët do të trajtohen me bonus qiraje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore