Lajme

Ikja e madhe e të rinjve rusë në Kazakistan për t’i shpëtuar thirrjes së Putin-it për luftë


Në ditët e fundit, sipas “New York Times”, Kremlini ka dërguar edhe më shumë forca për të mbështetur përpjekjet e tij të të luftës.

Por njësitë nuk janë drejtuar në Ukrainë, po në kufijtë e Rusisë, për t’u përballur me të rinjtë rusë që përpiqen të bashkojnë forcat me një eksod nga vendi.

Me gjithë përforcimet e garnizoneve ushtarake kufitare, radhët e atyre që ikin nga rekrutimi i detyruar vazhdojnë të shtohen në vendkalimet me Gjeorgjinë, Kazakistanin dhe madje edhe Mongolinë.

Qeveritë e Gjeorgjisë dhe Kazakistanit kanë injoruar kërkesat e Moskës për të mbyllur kufijtë dhe për të lejuar hyrjen e atyre që ikin.

Arratisje masive

“Në veçanti janë drejtuar në Kazakistan rusët që po lënë atdheun e tyre në kundërshtim me vendimin e Kremlinin”, thotë një djalë i ri, Vadim, për “CNN”.

Ai tregon se si ra preh e depresionit muajin e kaluar pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi për vendimin për mobilizim ushtarak për të dërguar qindra mijëra rekrut për të luftuar në Ukrainë.

“Kam heshtur”, thotë inxhinieri 28-vjeçar, duke shpjeguar se ai thjesht ndaloi së foluri.

“Isha i zemëruar dhe i frikësuar”, shton ai.

Kur pushtimi rus i Ukrainës filloi në shkurt, Vadim thotë se ai doli në rrugë në Moskë për të protestuar, por urdhri i 21 shtatorit i Putinit për të angazhuar të paktën 300 mijë burra për të luftuar, dukej qartë dështim.

“Ne nuk e duam këtë luftë”, u shpreh Vadim për Televizionin amerikan.  “

Dhe kështu vendosi se i kishte mbetur vetëm një mundësi. Disa ditë pas urdhrit të regjistrimit në ushtri, ai i tha lamtumirë gjyshes së tij të përlotur dhe u largua nga shtëpia e saj në Moskë, potencialisht përgjithmonë.

Eksodi që nuk do luftë

Vadimi dhe shoku i tij, Alexei udhëtuan drejt kufirit rus me ish-republikën sovjetike të Kazakistanit, ku pritën në radhë për tre ditë për ta kaluar atë.

“Ne kemi ikur nga Rusia sepse duam të jetojmë”, thotë Alexei për “CNN”.

“Kemi frikë se mos na dërgojnë në Ukrainë”.

Të dy të rinjtë kërkuan të mos identifikoheshin, për të mbrojtur të dashurit e mbetur në Rusi.

Javën e kaluar, në kryeqytetin tregtar të Kazakistanit, Almaty, ata ishin me më shumë se 150 rusë të tjerë që sapo kishin mbërritur jashtë një qendre regjistrimi qeveritar, të gjothë pjesë e një eksodi dezertorësh.

Sipas Qeverisë kazake, më shumë se 200 mijë rusë janë dyndur në Kazakistan pas njoftimit të Putinit për shërbimin ushtarak.

Dhe nuk është e vështirë të dallosh të sapoardhurit rusë në stacionin kryesor të trenit në Almaty.

Çdo orë, duket se të rinjtë sllavë dalin nga treni me çanta shpine, duken paksa të trullosur dhe duke konsultuar telefonat e tyre për udhëzime.

Ata vijnë nga qytete të gjithë Rusisë: Yaroslavl, Togliati, Shën Petersburg, Kazan.

Kur u pyetën pse u larguan, të gjithë thonë të njëjtën gjë: për shkak të mobilizimit.

Refuzimi i luftës

“Nuk është diçka në të cilën dua të marr pjesë”, shpjegon një programues kompjuteri 30-vjeçar i quajtur Sergei.

Ai u ul në një stol jashtë stacionit të trenit me gruan e tij Irina.

Çifti, me çanta shpine të mbështjellë dhe dyshekë gjumi, thanë se shpresonin të vazhdonin në Turqi dhe të aplikonin për një vizë Shengen në Evropë.

Shumica e të mërguarve të rinj rusë folën për “CNN” në kushte anonimiteti.

Giorgi, një shkrimtar 30-vjeçar nga Yekaterinburgu, thotë se ai iku në Kazakistan javën e kaluar pasi kishte pasur kriza paniku nga ideja se do të merrej zvarrë në ushtri.

“Si mund të marr pjesë në një luftë pa pasur dëshirën për ta fituar atë?” pyet ai.

Ai tani po përpiqet të gjejë një apartament në Almaty dhe shpreson që gruaja dhe djali i tij i vogël mund ta vizitojnë atë në dimër.

Përballë sfidës së përpjekjes për të siguruar jetesën në një qytet të huaj, Giorgi pranon se vështirësitë e tij zbehen në krahasim me ato të ukrainasve, të cilët detyrohen të ikin me miliona pasi Rusia sulmon qytetet dhe qytezat e tyre.

Ndryshe nga ukrainasit, të cilët luftojnë me guxim për atdheun e tyre, Giorgi argumenton se ata rusë si ai që nuk duan të shkojnë në luftë mund të konsiderohen si “refugjatë dhe agresorë” për shkak të shtetësisë së tyre.

Lidhjet

“Unë nuk e kam mbështetur luftën, nuk e kam mbështetur kurrë”, saktëson Giorgi. “Por disi jam ende i lidhur me shtetin falë pasaportës sime”.

Giorgi, një shkrimtar 30-vjeçar nga Yekaterinburg, Rusi, la gruan dhe djalin e tij të vogël për të filluar një jetë të re në Almaty.

Të mërguarit e rinj rusë nuk janë teknikisht refugjatë, pjesërisht sepse qeveria ruse nuk është ende zyrtarisht në luftë me Ukrainën.

Sipas Kremlinit, Rusia po kryen një “operacion special ushtarak” kundër fqinjit të saj ukrainas.

Qytetarët rusë aktualisht mund të hyjnë në Kazakistan për periudha të shkurtra me kartat e tyre të identitetit kombëtar dhe Presidenti i vendit të Azisë Qendrore u ka kërkuar bashkatdhetarëve të tij që të mirëpresin të ardhurit e rinj.

“Shumica e tyre janë të detyruar të largohen për shkak të situatës së dëshpëruar.  Ne duhet të kujdesemi për ta dhe të garantojmë sigurinë e tyre”, tha presidenti Kassym Jomart Tokayev në fund të shtatorit.

Në të gjithë Kazakistanin është shfaqur një përpjekje joformale nga njerëzit për të ndihmuar në ushqim dhe strehimin e përkohshëm të rusëve.

Asistencë

“Ata po ikin, kanë frikë,” tha Ekaterina Korotkaya, një gazetare nga Almaty që ndihmoi në koordinimin e ndihmës për rusët e sapoardhur.

Almira Orlova, një nutricioniste nga Almaty, thotë se ajo ndihmoi në gjetjen e strehimit për të paktën 26 rusë.  “Ata vinin në banesën time, ndalonin pak, pastaj qëndronin në apartamentet e miqve të mi”, thotë ajo.

Por tregon se nuk pati të njëjtën mikpritje kur u transferua me bashkëshortin e saj rus në Moskë disa vite më parë.

Pronarët e shtëpuve rusë refuzonin vazhdimisht t’i jepnin me qira apartamentet sepse ajo ishte “aziatike”, tha ajo.

“Kur u thoja se jam kazake, ata u përgjigjën: “Më falni, thjesht nuk mundem”.

Dhe për dy muaj nuk mundëm të gjenim një apartament”, thotë Orlova.

“Qytetarët e Azisë Qendrore që kanë vajtur në Rusi për arsye imigrimi për punë përballen me diskriminim të rëndë në Rusi”, tha Kadyr Toktogulov, ish-ambasador i Kirgistanit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Migrimi në kah të kundërt

Ish-republika sovjetike e Kirgistanit gjithashtu pa një “migrim në kah të kundërt” të madh të rusëve që iknin nga mobilizimi.

“Unë nuk mendoj se rusët që vijnë në Azinë Qendrore për t’i shpëtuar mobilizimit do të kenë të njëjtin lloj problemi apo diskriminimi që qytetarët e republikave të Azisë Qendrore janë përballur për vite me radhë në Rusi,” thotë Toktogulov.

Dhe ai thotë se familja e tij kohët e fundit i ka ofruar me qira një apartament në kryeqytetin Kirgistan Bishkek një rusi të sapoardhur.

Ekspertët e pasurive të paluajtshme thonë se vala e të mërguarve rusë tashmë ka bërë që qiratë të rriten shumë në Almaty, në kryeqytetin Kirgistan Bishkek dhe qytete të tjera në rajon.

Ndikimi po ndihet gjithashtu në pasuritë e paluajtshme komerciale, pasi shumë rusë përpiqen të punojnë në distanca.

“Janë jo vetëm individë privatë, por edhe kompani dhe biznese të mëdha ruse, të cilat po zhvendosin kompanitë e tyre në Kazakistan”, tha për “CNN” Madina Abilpanova, partnere menaxhuese e DM Associates, një kompani e pasurive të paluajtshme me qendër në Almaty.

Abilpanova thotë se kompanitë ruse i janë drejtuar asaj për të zhvendosur qindra punonjës në një përpjekje për t’i mbrojtur ata nga regjistrimi ushtarak.

“Ata janë gati të lëvizin menjëherë, të paguajnë çfarë të duam, por ne nuk kemi hapësirë”, thotë Abilpanova.

Të sapoardhurit në Rusi punojnë në një hapësirë ​​pune në Almaty.

Abilpanova thotë se të gjithë këta klientë kanë mbërritur në Kazakistan në dy javët e fundit.

Ndërsa fliste, një tjetër i ri rus me një çantë shpine gjigante hyri në derë.

Pronarët duhej ta refuzonin sepse nuk kishte vend.

“Për ne është si një cunami”, shton Abilpanova.

“Çdo ditë vijnë kështu”.

Vadim, inxhinieri i Moskës i cili kohët e fundit mbërriti në Kazakistan, thotë se kompania e tij po sponsorizon zhvendosjen e tij dhe 15 punonjësve të tjerë në selinë qendrore të Almaty-së.

Ndryshe nga shumë rusë të tjerë që ikën papritmas në mërgim, Vadim mund të mbështetet në një pagë për momentin.  Por ai nuk e di se kur ose nëse, do ta shohë përsëri gjyshen e tij në Moskë.

“Unë me të vërtetë shpresoj ta shoh përsëri”, thotë Vadimi me sytë plot lot.

“Por nuk e di sa kohë i ka mbetur. Shpresoj të jem në gjendje të kthehem një ditë të paktën për ta varrosur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore