Sport

Ibrahimovic humb derbin me Inter-in


Zlatan Ibrahimovic ka hyrë në moshën 40 vjeçare dhe përkundër dëshirës që të kontribuojë me ekipin e tij Milan-in, mosha e tij ka bërë që ai të pësojë dëmtime të shpeshta, të cilat e kanë lënë shumë shpesh jashtë fushave.

Kur dukej se po shihte “dritë në fund të tunelit” dhe luajti disa minuta në ndeshjen ndaj Bologna-s, suedezi u ndal sërish, këtë herë në stërvitje dhe humbi jo vetëm takimin ndaj Torino-s i cila u luajt në javën e fundit, por pritet të mungojë edhe për së paku 10 ditët e ardhshme.

Pra, në këtë rast, Ibra do ta humbasë edhe ndeshjen e rëndësishme të kuqezinjve ndaj Inter-it në kuadër të gjysmëfinales së kthimit në Kupën e Italisë, që do të zhvillohet të martën e ardhshme.

Sulmuesi me pasaportë suedeze, këtë sezon ka shënuar vetëm 8 gola, më pak se gjysmën e atyre të shënuar një vit më parë dhe numëron 23 ndeshje, por në shumicën e tyre ka ardhur nga stoli dhe ka luajtur vetëm pak minuta.

Në këtë mënyrë Stefano Pioli humb një titullar të rëndësishëm në fazën më të rëndësishme të sezonit, kur kuqezinjtë janë në garë për dy trofe, ndërsa ky dëmtim hedh dyshime edhe mbi të ardhmen e Ibrës.

Ai ka shprehur dëshirën që të luajë edhe për një sezon tjetër me Milan-in, pasi që kontrata aktuale i përfundon në fund të sezonit.

Por, nëse 40 vjeçari vazhdon me dëmtime, atëherë vështirë se kuqezinjtë do t’ia zgjasin kontratën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore