Kosova

Ibishi në Hagë: Vota ime pro miratimit të Speciales ishte e pavullnetshme


Nuredin Ibishi.

Nuredin Ibishi, dëshmitari i nëntë i mbrojtjes së Salih Mustafës, ka përfunduar të martën dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ibishi, gjatë deklaratës së tij ka thënë se për miratimin e Gjykatës Speciale si deputet vota e tij ka qenë e pavullnetshme.

“Kam qenë deputet në legjislaturën kur është votuar. Nuk e kam bërë me vullnet këtë votë, nga kuptimi se së pari kur ka nisur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të miratohet kjo rezolutë. E dini se kanë qenë akuzat për trafikim organesh, ndërsa në hetimet preliminare të Williamson u konstatua se shtëpia e verdhë me të gjitha ato akuza që janë bërë, mbaron raporti i Wiliamson se nuk ka trafikim të organeve, por ka diçka tjetër”.

“Por rezoluta është miratuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Pa vullnet kam votuar për, sepse isha para dy dilemave: a ta miratojmë dhe të na gjykojnë vendet demokratike si BE dhe SHBA apo të shkojë në Kombet e Bashkuara dhe të vijnë regjimet e Rusisë, Kinës dhe Bjellorusisë dhe për këtë arsye ishte vota ime pro”, sqaron Ibishi.

Salih Mustafa.

Ai është pyetur nga prokurori Cezary Mihailzcuk, se si ishte ndier pas lajmit të arresimit të Musatafës.

“Ne pjesëtarët e UÇK-së prej rolit të viktimës po kthehemi sikurse në agresor dhe kjo po shkon në pafundësi. Unë nuk dua të paragjykoj as për pafajësinë e Salih Mustafës apo bashkëluftëtarëve. Vetë procesi do të tregojë realitetin në bazë të asaj që do të procedohet në krejt këtë“, tha ai.

Prokurori e pyeti Ibishin edhe për pjesëtarët e njësitit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës BIA a kanë marrë pjesë në operacione luftarake gjatë luftës.

Ndërsa, shtoi se nga 27 prilli kur është bërë mobilizimi i tërësishëm, ekziston mundësia që BIA të jetë e uniformuar dhe armatosur, pasi është urdhri i tërësishëm për mobilizim.

“Nuk kam këtë njohur që BIA ka marrë pjesë në operacione luftarake para 27 prillit. Përveç asaj çka kanë pasur detyrën edhe mandatin përveç datës 27 e tutje, unë nuk kam ditur për këto rastet e BIA-s që ka marrë pjesë në operacionet luftarake me uniformë”.

“Mendoj që BIA nuk ka pasur mandatin të jetë pjesë e uniformuar në zbatimin e detyrave të veta, meqenëse kjo është strukturë e paarmatosur. Unë e lidhi mundësinë që edhe BIA të jetë e uniformuar dhe armatosur pasi është urdhër i përgjithshëm për mobilizim, por para kësaj date e kam të paqartë këtë çështje dhe nuk kam koment”.

Gjatë dëshmisë së tij, gjatë pyetjeve të avokatit mbrojtës, Betim Shala, tregoi se detyra e BIA-s ka qenë të veprojë në zonat urbane në aspektin e furnizimit për përgatitjet të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit për çështje të shëndetësisë, logjistikës, pranim të refugjatëve dhe akomodimit të tyre prej zonave që kanë qenë të prekura nga lufta.

Ai po ashtu ka thënë se nuk i ka dhënë urdhra as njësitit BIA, por as Salih Mustafës.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore