Euro 2020

I shumëdiskutuari Kuipers, kur Verratti e akuzonte…


Bjorn Kuipers do të jetë arbitri që do të mbajë drejtësi në finalen e Euro 2020, midis Italisë dhe Anglisë.

Holandezi është një nga arbitrat më të njohur dhe më të pasur në Europë. Ai zotron një rrjet supermarketesh në vendlindje dhe pasuria e tij shkon në 11.5 milionë euro.

Por, më shumë se për pasurinë, ai njihet për arbitrimin e tij. Ka pasur disa ndeshje të medha ku Kuipers ka arbitruar dhe ku nuk kanë munguar “fërkimet” me yjet e futbollist si Cristiano Ronaldo, Lionel Messi, apo dhe Marco Verratti.

Verratti pritet të jetë në fushë për Italinë në përballjen me Anglinë në “Wembley” më 11 korrik, por pak kohë më  parë ai e kishte akuzuar holandezin për fjalorin e pahijshëm që ky i fundit kishte përdorur kundër tij, gjatë një ndeshje në Ligën e Kampionëve.

Në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve midis PSG-së dhe Manchester City-t në prill, Verratti tha pas ndeshjes se Kuipers e kishte sharë gjatë lojës, duke i thënë “f**k you” (shkofsh në dreq*).

Edhe bashkëlojtari i Verratti-t te PSG-ja, Ander Herrera, u ankua për Kuipers-in pas asaj ndeshje, duke thënë se e kishte dëgjuar holandezin teksa i kishte thënë, Leandro Paredes-it “f**k off”.

“Sigurisht, unë gjithmonë flas shumë me gjyqtarin në fushë, por kurrë nuk do të më dëgjoni të them diçka të tillë”, tha Verratti asokohe.

Ndërkohë, Herrera tha për median franceze RMC Sport se “ne flasim për respekt me gjyqtarët, arbitri sot i tha ‘shko në dreq’ Leandro Paredes-it. Nëse ne e themi atë, marrim pezullim prej dy ose tre ndeshjesh”.

Në Itali, Kuipers nuk kujtohet vetëm për episodin me Verratti-n, por edhe për eleminimin e Juventus-it nga Porto ne Ligën e Kampionëve.

Ajo ndeshje e arbitruar nga holandezi, solli nervozizmin e Ronaldo-s me të dhe më pas gazeta italaine “Tuttospor” shkruante se Kuipers-i nuk kishte “anjë nivel për në Ligën e Kampionëve”, duke bërë “gabime të rënda” që kushtojnë  “miliona euro dhe në besueshmërinë e garës”.

Ndërsa, episodi me Messi-n ka qenë në përballjen e Barcelona-s me Liverpool-in në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në 2019, pasi Messi kishte shënuar golin e tretë për vendasit, në ndeshjen e parë.

Kuipers-i është dëgjuar teksa i thotë argjentinasit “Messi, pse po feston kështu? Eja. Tregohu atyre pak respekt. Eja. Pse po e bën atë?”.

Duke pasur parasysh këto episode, Kuipers-i është një figurë jo shumë e dashur për tifozët italianë, të cilët tashmë duhet të presin e të shohin se si do të shkojë finalja e Euro 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore