Lajme

I rikthehet licenca fondacionit “Nënë Tereza” në Indi, mund të marrë donacione


Qeveria e Indisë i ka rikthyer licencën fondacionit bamirës “Nënë Tereza” në Indi, ku tashmë do të lejohet kalimi i fondeve nga jashtë vendit dhe anasjelltas.

Ky vendim vjen dy javë pasi grupi katolik u ndalua të merrte çdo lloj fondi përtej kufijve indianë. Ndërsa, shumë organizata të tjera kristiane, mbeten në pritje të një vendimi për heqjen e ndalimit të kalimit të fondeve nga vendet e huaja.

Ministria e Punëve të Brendshme të Indisë, ka qenë organi që e ka zhbërë vendimin për misionaret e Nënë Terezës, pas një lobimi nga shteti i Vatikanit.

Themeluar nga vetë Nënë Tereza, nobelistja me origjinë shqiptare, e cila aktivitetin kryesor në jetë e ushtroi në Kalkuta të Indisë, fondacioni i krishterë ka nën patronazh jetimore dhe shkolla të tëra për fëmijët e braktisur dhe ata jetimë.

E vetmja rrugë se si ato mund të vijojnë operimin e tyre, është pikërisht financimi vullnetar.

“Nuk e patëm besuar se regjistrimi ynë mund të anulohej, por ja që ndodhi”, deklaroi Sunita Kumar, një përfaqësuese e fondacionit “Jemi të lumtur që rikthimi i licencës u bë në pak kohë dhe nuk pati vonesa”.

Në fakt, lajmi i heqjes së lejes, pati ardhur në ditën e Krishtlindjes. Një agjenci shtetërore e pati përcaktuar organin bamirës si të papërputhshëm me rregullatoren e kontributeve nga jashtë.

Kjo, sepse ka pasur dyshime të abuzimeve me fondet.

Një hetim u nis mbi fondacionin “Nënë Tereza” edhe për shkak të disa deklarimeve se murgeshat ishin duke konvertuar fenë e disa vajzave “forcërisht” për të marrë më shumë fonde.

Sipas pretendimeve, në rajonin Makarpura, vajzat shtyheshin të lexonin Biblën dhe të luteshin. Kështu, duke i shtyrë ato drejt krishterimit.

Gjithsesi, të tilla akuza kurrë nuk u pranuan e provuan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore