Lajme

I burgosuri palestinez – pas grevës së urisë – arrin marrëveshjen për liri


Një palestinez, i akuzuar për komplot për të vrarë izraelitët, ka fituar lirinë pas grevës së urisë, në shenjë proteste se e kishin burgosur pa gjyq. Nga frika e trazirave, Izraeli pranoi ta lironte.

Hisham Abu Hawashit ndodhej në njësinë e kujdesit intensiv, në Spitalin e Izraelit Qendror, dhe monitori i shenjave jetësore nuk tregonte shenja jete.

Ai kishte refuzuar çdo ndërhyrje mjekësore, duke përfshirë aparatet mjekësore që mund të monitorojnë shëndetin e tij në rënie.

Po ashtu, kishte refuzuar të ushqehej, të merrte lëngje intravenoze apo suplemente.

Abu Hawash, 40 vjeç, një punëtor ndërtimi në Bregun Perëndimor dhe baba i pesë fëmijëve, ishte në ditën e tij të 141-të të grevës së urisë.

Ai ishte i burgosuri i fundit palestinez që mori masa drastike për të protestuar ndaj ndalimit të tij të pafund nga autoritetet ushtarake izraelite pa akuza ose gjyq, një praktikë e quajtur ndalim-administrativ.

Hisham Abu Hawash, në një spital me gruan e tij, Aisha Hirbat, dhe një përfaqësues të Autoritetit Palestinez.

Mbrëmjen e të martës, protesta e tij përfundoi pas një marrëveshjeje mes zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë për ta liruar muajin e ardhshëm.

Pas ditësh protestash që bënin thirrje për lirimin e tij dhe shtimit të frikës në Izrael për trazira të përhapura nëse ai vdiste në paraburgim, qeveria kapitulloi.

Sipas paktit, Abu Hawash do të qëndrojë në spital deri më 26 shkurt dhe do të fillojë të marrë kujdesin mjekësor. Autoriteti Palestinez ra dakord “të garantojë se ai nuk do t’i kthehet terrorizmit”.

Sipas rregullave të paraburgimit administrativ, Hawash nuk ishte akuzuar kurrë për terrorizëm, aq më pak i dënuar. Avokatët e tij këmbëngulin se ai është i pafajshëm.

Izraeli ka përdorur paraburgimin administrativ për të burgosur mijëra palestinezë nga territoret e pushtuara që nga viti 1967. Ata mbaheshin të burgosur në bazë të ligjit ushtarak për kushte të pafundme të bazuara në prova sekrete.

Pa asnjë akuzë dhe pa asnjë mënyrë për t’u mbrojtur kundër tyre, avokatët mund të bëjnë kërkesë vetëm në gjykata për lirimin e klientëve të tyre.

Grevat e urisë nuk janë një përgjigje e pazakontë, megjithëse ajo e Hawash-it ishte një nga më të gjatat vitet e fundit.

Izraeli nuk nxjerr rregullisht numra zyrtarë, por grupi i të drejtave të të burgosurve “Addameer” vlerëson se aktualisht janë 500 palestinezë në paraburgim administrativ, duke përfshirë katër të mitur.

Izraeli nuk është i vetëm në praktikë. Vendet autoritare, si Egjipti dhe Kina, e përdorin atë në mënyrë rutinë, siç bën Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor.

Sipas një zyrtari mbrojtës të njohur me rastin e Abu Hawash-it, ai u akuzua se ishte operativ i Bregut Perëndimor për Xhihadin Islamik Palestinez – grup militant me bazë në Gaza.

Xhihadi Islamik Palestinez konsiderohet një organizatë terroriste nga shumë vende, duke përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, dhe ka kryer sulme të shumta vdekjeprurëse kundër civilëve izraelitë.

Familja dhe avokatët e Hawash-it mohuan se ai ishte anëtar i grupit dhe i kërkuan gjykatës ushtarake të paraqiste provat që mbështesin akuzat kundër tij.

Grevat e urisë kanë qenë të zakonshme në mesin e të burgosurve palestinezë, duke ndihmuar në sigurimin e lëshimeve të shumta nga autoritetet izraelite.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, të martën e 28 dhjetorit zhvilloi një takim me ministrin izraelit të Mbrojtjes Benny Gantz gjatë një udhëtimi të rrallë në Izrael.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore