Lajme

I burgosuri i dënuar me vdekje në Bahrein i lutet Papës për lirimin e tij


Një ish-roje sigurie në aeroport, Mohammed Ramadhan, i cili pritet të dënohet me vdekje në Bahrein i ka kërkuar Papa Françeskut që të bëjë thirrje për lirimin e tij.

Ai thotë se po dënohet për një krim që e kanë detyruar me dhunë për ta pranuar.

Në një letër të ndarë ekskluzivisht me “The Guardian”, i dënuari i ka bërë kërkesë Papës përmes Institutit të Bahreinit për të Drejtat dhe Demokracinë (BIRD), që të ndihmonte për lirimin e tij.

I akuzuari i cili ka qenë në burg për nëntë vite, i kërkoi Françeskut që t’i “thoshte mbretit të Bahreini-t, Hamad bin Isa Al Khalifa, për lirimin dhe ribashkimin e tij me familjen”.

Papa Françesku është nisur të enjten e 3 nëntorit në vizitën e tij tre-ditore në Bahrein, ku është hapur Kisha më e madhe katolike në rajon, në dhjetorit të kaluar.

Mbreti i Bahrein-it është kritikuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, veçanërisht për shtypjen e shumicës myslimane shiite të mbretërisë, që pas kryengritjes pro-demokratike të vitit 2011.

Ramadhan, 39 vjeç dhe Husain Moosa 36 vjeç, të dy myslimanë shiitë, u dënuan me vdekje për një shpërthim në të cilin mbeti i vrarë një oficer policie në vitin 2014.

39-vjeçari kishte marrë pjesë më parë në mitingje paqësore pro-demokracisë, duke përfshirë një të zhvilluar në përvjetorin e tretë të kryengritjes së Bahrein-it.

Të paktën 26 të burgosur u është dhënë vendimi me vdekje në Bahrein, nga të cilët 12 janë dënuar për çështje politike, sipas “BIRD”.

Këta të fundit janë në rrezik të ekzekutimit të menjëhershëm pasi kanë përdorur të gjitha mjetet juridike vendase, hapi i fundit mbetet ratifikimi i dënimeve të tyre me vdekje nga mbreti.

Një raport i kohëve të fundit nga organizata ndërkombëtarë jo-qeveritare “Human Rights Watch” dhe “BIRD” gjatë hetimit të tetë rasteve të të burgosurve të dënuar me vdekje, ka zbuluar se gjykimet e tyre kishin qenë në shkelje të rëndë me ligjet ndërkombëtare.

Dënimet ishin të bazuara vetëm në rrëfime të dyshuara se janë nxjerrë përmes torturave, si goditjet elektrike në organet gjenitale, rrahjet, privimi nga gjumi dhe tentativat për përdhunim.

Familjet e të dënuarve me vdekje i kanë bërë gjithashtu thirrje Papës për lirimin e familjarëve të tyre.

Françesku do të marrë pjesë në Forumin e Bahreinit për Dialogun mes Lindjes dhe Perëndimit mbi bashkëjetesën njerëzore dhe kremtimin e një meshë publike në stadiumin kombëtar të Bahreinit.

Në një postim në Twitter të mërkurën e 2 nëntorit, Papa ka thënë se “do të niset për një udhëtim apostolik në mbretërinë e Bahrein-it, një udhëtim nën flamurin e dialogut”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore