Lajme

Hyseni deklarohet i pafajshëm rreth akuzës për mosraportim të pasurisë


Skender Hyseni ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ish-koordinatori Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skender Hyseni, është deklaruar i pafajshëm për mosraportim të saktë të pasurisë, brenda afatit ligjor.

Kështu është deklaruar Hyseni në fillim të seancës pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa.

“Jo, absolutisht jo”, deklaroi Hyseni.

Në bazë të aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkoi Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volksëagen”, në vlerë prej 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortës së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Fatlum Podvorica e ka njoftuar gjykatën se brenda afatit ligjor do të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Pas kësaj, gjykatësi Sadiku është shprehur se i akuzuari ka të drejtën që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqesë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, si dhe ka shtuar se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore