Lajme

Pas liturgjisë të mbajtur në Kishën Ortodokse – Kelmendi: Kurti ka me na e sjell Serbinë brenda


Migjen Kelmendi, Publicist

Publicisti kosovar, Migjen Kelmendi, përmes një statusi në Facebook, e ka kritikuar qeverinë Kurti, pasi të enjten, 10 qershor, Peshkopi, Teodosije, i Dioçezës së Rashkës dhe Prizrenit së bashku me peshkopë dhe besimtarë tjerë, kanë mbajtur shërbesë për herë të parë prej vitit 1998 në Kishën e braktisur, që gjendet në Kampusin e Universitetit të Prishtinës.

“Liturgjia e mbajtën ne kishën politike te Miloseviçit dhe Arkanit ne Prishtinë, është vetëm një fakt që mundesh me e prek me dorë të këtij gabimi historik që 50 për qind e qytetareve te Kosovës e bën tu e votu  Kurtin. Parashikimi i Kadri Veselit se ‘Kurti ka me na e sjell Serbinë brenda’ faktohet konkretisht me këtë akt të sotëm ne Kishën politike te Miloseviçit e Arkanit”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, “e keqja është se ekstrapolimet dhe manifestimet e ardhshme të gabimit historik te 50 për qind e qytetarëve të Kosovës, kanë me e dëmtua dhe rreziku të ardhmen e 100 për qind te qytetareve”.

“Dukej romantike me e votu një djalë të ri, bashke me do tjerë, që premtonin ndryshimin, ndërrimin e pushteteve dhe funksionimin e ligjit në Kosovë”.

“Vetëm 100 ditë ma vonë, krejt kjo prrall që komprometoi shkoqnin kosovare, plasi si flluskë sapuni”.

Kelmendi ka shtuar “se shoqëria kosovare, e cila diku në 50 për qind është rurale, me nivel kulturor folklorik, voton një djalë gjysë të shkolluar që e citon Hegelin – për pa e lexuar”.

“Gabimi nuk është abstrakt. Medoemos ka me e pas edhe manifestimin e jashtëm, njësoj si Shoqëria e Enverit që përshfaqej në atë fukarallëk që e kish ndërruar optin e qytetareve dhe në atë çmendi arkitekturale që kaploi këtë vend komunist”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.

 

Mbajtja e liturgjisë fetare në Kishën e braktisur brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, themelet e së cilës i kishte vënë lideri famëkeq i paramilitarëve serbë, Arkani.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore