Lajme

MPJ e Gjermanisë për AP: Kosova të gjejë mënyra si të implementohet Asociacioni


Ilustrim

Zyra për media e Ministrisë për Punë të Jashtme të Gjermanisë, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, kanë thënë se “Qeveria Federale Gjermane mbështet Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçakun, i cili nënvizoi (vuri theksin) se Asociacioni i Komunave Serbe është një element i normalizimit gjithëpërfshirës të marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas MPJ-së së Gjermanisë, Kosova duhet ta zbatojë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë për themelimin e Asociacionit.

“Kosova ka hyrë një marrëveshje në vitin 2013 ku ka marrë vendimin mbi vete për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së së Gjermanisë.

“I takon Kosovës të propozojë mënyra se si të vazhdohet tutje në implementimin e kësaj marrëveshje. Është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”.

Në këtë përgjigje për AP po ashtu thuhet se “synimi duhet të jetë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që do t’i kontribuoj sigurisë rajonale”.

“Ky edhe ishte mesazhi që u formulua nga vendet pjesëmarrëse në samitin e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor që u mbajt më pesë korrik”.

Ndërkaq muajin e kaluar, edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, pati thënë se Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shtuar se “unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

“Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë. Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, pati thënë Kosnett.

Ngjashëm si ShBA e Gjermania, edhe zyra e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, më 24 qershor patën thënë për AP se “Kosova ka ndërmarrë një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe dhe i takon Kosovës të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar këtë marrëveshje”.

“Pozicioni i BE-së për Asociimin/Komunitetin e komunave Serbe është shumë i njohur deri tani dhe i pandryshuar. Në vitin 2013, Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira dhe marrëveshja asnjëherë nuk është anuluar”, thuhej në përgjigjen e BE-së.

Më 15 qershor, Albanian Post pati publikuar një dokument të ekipit menaxhues të anëtarëve për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, i përpiluar në vitin 2018, nga ekipi, i cili përbëhej nga Vinka Radosavljeviç, koordinatore Dejan Radojkoviç, anëtar Igor Kalamar, anëtar dhe Svetislav Durleviç anëtar.

Aty thuhej se shëndetësia dhe arsimi në komunat me shumicë serbe duhet të financohen nga Serbia.

“Për themelimin dhe funksionalizimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjen nga Brukseli, do të ishte e nevojshme që Prishtina të nxjerrë një ligj të posaçëm kushtetues i cili do të ishte bazë e vlefshme për Bashkësinë, ndërsa në nivel të Rregullores kjo nuk mund të realizohet”, thuhej në këtë dokument.

Por, me gjithë insistimin e ShBA-së dhe BE-së, Kurti ka deklaruar se “nuk mund të ketë Asociacion një etnik”.

“Nuk është e mundur në rendin juridik dhe kushtetutes të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike”, sqaroi më tutje kryeministri Kurti. Sipas tij, asociacion mund të ketë mbi baza “zhvillimore e gjeografike”, por asociacioni mbi baza etnike “nuk mund të kalojë, as sa i përket frymës, e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, ka theksuar Kurti muajin e kaluar.

Historiku i Asociacionit

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Ndërsa për implementimin e asociacionit, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se asociacioni i cili ishte derivat i Marrëveshjes së Brukselit të datës 25 gusht të vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore