Lajme

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe: Shëndetësia dhe Arsimi të udhëhiqen nga Serbia


Ilustrim

Shëndetësia dhe arsimi në komunat me shumicë serbe duhet të financohen nga Serbia.

Këto ishin dy kërkesat kryesore të ekipit menaxhues të anëtarëve për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, i përpiluar në vitin 2018, nga ekipi i cili përbëhej nga Vinka Radosavljeviç, koordinatore, Dejan Radojkoviç, anëtar, Igor Kalamar, anëtar dhe Svetislav Durleviç, anëtar.

Në këtë dokument të siguruar nga Albanian Post thuhet se “për themelimin dhe funksionalizimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjen nga Brukseli, do të ishte e nevojshme që Prishtina të nxjerrë një ligj të posaçëm kushtetues i cili do të ishte bazë e vlefshme për Bashkësinë, ndërsa në nivel të Rregullores kjo nuk mund të realizohet”.

Aty nënvizohet se në mbledhjen e udhëheqëseve të institucioneve shëndetësore serbe në Kosovë të mbajtur në Mitrovicën Veriore në maj të vitit 2018, është kërkuar që ASK-ja të ketë autonomi të plotë.

“Drejtori i QSH Mitrovicë e Kosovës, Milan Ivanoviç, ka theksuar se më nuk do të duhet të bëhen lëshime në Prishtinë”, sepse pala serbe i ka plotësuar obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit”.

Sipas raportit, ai ka theksuar se shëndetësia është shtylla më e fortë e shtetit të Serbisë në këtë pjesë dhe se “duhet të forcohen institucionet tona”, para së gjithash shëndetësore dhe arsimore, dhe prandaj BKS duhet të ketë autonomi të plotë.

“Shëndetësia serbe është në nivel dukshëm më të lartë nga ajo e Prishtinës, e cili nuk ka kuadër të mirë profesional. Shëndetësia në komunat serbe është lidhur në mënyrë organike me sistemin shëndetësorë në Serbinë qendrore”, pati thënë Ivanoviç.

Pos shëndetësisë, ky grup punues ka kërkuar që edhe sektori i arsimit të financohet nga Serbia dhe të punohet me plan program të këtij shteti.

Jasmina Dediç, udhëheqëse e administratës së shkollës, sipas raportit, ka thënë se “të gjithë të punësuarit në arsim presin të mbahet statusi ekzistues dhe që sistemi arsimor të mbetet në sistemin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë”.

Prandaj, ajo sugjeroi që “BKS të jetë një lidhje midis shkollave dhe ministrive. Ajo prezantoi pikëpamjet e nxënësve, prindërve dhe stafit mësimdhënës dhe jo-mësimdhënës, të cilët sugjerojnë që në shkolla të punohet sipas planit dhe programit mësimor të ministrisë së lartpërmendur”.

“Personat e tjerë të pranishëm, drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, u pajtuan se është e nevojshme që sistemi ekzistues i cili funksionon në shkollat në Kosovë dhe Metohi të mbetet në kuadër të sistemit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Republikës së Serbisë dhe që, në përputhje me këtë, të vazhdohet të punohet sipas planit dhe programit të kësaj ministrie”.

Takime intensive të ekipit menaxhues janë zhvilluar gjatë muajit maj të vitit 2018, në Mitrovicën Veriore, ndërsa më pas i kanë raportuar ish- ministrit për Komunitete dhe Kthim Ivan Teodosijeviç.

Ky ekip ka hartuar draft statutin e asociacionit dhe të njëjtin e ka dorëzuar ne Bruksel duke anashkaluar institucionet e Kosovës, të cilat i konsideronte si të “përkohshme”, në raportin e tij.

Ndërkohë, Albanian Post kupton në shtator të këtij viti në Paris të Francës do të mbahet konferenca e radhës në mes të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Serbisë, në prezencën e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe ku Kosovës do t’i kërkohet themelimi Asociacionit.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Raportet e ekipit menaxhues të anëtarëve për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, i përpiluar në vitin 2018

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore