Lajme

BE-ja për Albanian Post: Kosova ka detyrim ta themelojë Asociacionin


Ilustrim

“Kosova ka ndërmarrë një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe dhe i takon Kosovës të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar këtë marrëveshje”.

Kështu kanë thënë për Albanian Post nga zyra e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nuk do të ketë asociacion mbi baza etnike.

“Pozicioni i BE-së për Asociimin/Komunitetin e komunave Serbe është shumë i njohur deri tani dhe i pandryshuar. Në vitin 2013, Kosova hyri në një marrëveshje për krijimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira dhe marrëveshja asnjëherë nuk është anuluar”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Një javë më parë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se Kosova ka detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shtuar se “unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

“Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë. Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, pati thënë Kosnett.

Më 15 qershor, AP ka publikuar një dokument të ekipit menaxhues të anëtarëve për krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, i përpiluar në vitin 2018, nga ekipi, i cili përbëhej nga Vinka Radosavljeviç, koordinatore Dejan Radojkoviç, anëtar Igor Kalamar, anëtar dhe Svetislav Durleviç anëtar.

Aty thuhej se shëndetësia dhe arsimi në komunat me shumicë serbe duhet të financohen nga Serbia.

“Për themelimin dhe funksionalizimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, në përputhje me marrëveshjen nga Brukseli, do të ishte e nevojshme që Prishtina të nxjerrë një ligj të posaçëm kushtetues i cili do të ishte bazë e vlefshme për Bashkësinë, ndërsa në nivel të Rregullores kjo nuk mund të realizohet”, thuhej në këtë dokument.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që akuzohej se në Bruksel po e copëton Kosovën me nënshkrim të Asociacionit, pati thënë për Albanian Post në fillim të këtij muaji se ai kurrë s’ka nënshkruar ndonjëherë për themelimin e bashkisë së komunave.

“Ajo që unë kam nënshkruar, është marrëveshje e parimeve, jo marrëveshje për themelim e Asociacionit, sepse unë e kam trashëguar Ligjin, i cili është votuar me mbi 2/3 e deputeteve”, pati thënë Mustafa.

Ish-lideri i LDK-së e ka fjalën për Ligjin për themelimin e Asociacionit “që ekziston Ligj i veçantë, i miratuar në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes së parë ne vitin 2013”.

Përkundër se për qeverinë e Kurtit nuk ka ndonjë këshillë, Mustafa e ka një ide se çfarë duhet të bëhet me Asociacionin.

“Tani ose duhet ai Ligj të shpallet i pavlefshëm me 2/3-at e votave të deputetëve, ose duhet të implementohet”.

Pak a shumë për Mustafën ka të bëjë me vullnetin politik të pozitës. “Nëse nuk ka vullnet të implementohet, duhet të abrogohet Ligji”, pohon ai.

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore