Kosova

Hoxhaj: Rrëfimi i Kurtit për Kosovën si shtet në prag të luftës po dëmton vendin


Albin Kurti dhe Enver Hoxhaj

Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, nëse me të vërtet Kosova është në prag të luftës atëherë Albin Kurti, kryeministri i Kosovës duhet të njoftojë opozitën dhe partnerët ndërkombëtarë.

Si referencë për këtë Hoxhaj, merr deklaratat e Albin Kurtit, i cili gjatë kësaj jave dy here ka folur për një luftë të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Javën tjetër Kurti takohet me Vuçiçin në Bruksel! Çfarë kuptimi ka dialogu dhe diplomacia në tavolinë kur në terren po kërcënohemi me luftë? Nëse situata qenka kaq serioze, atëherë do të duhej të mblidhet Kuvendi dhe jo të shkojë kryeministri në Bruksel”, ka shkruar Hoxhaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Rrëfimi për Kosovën si shtet në prag lufte, sipas Hoxhajt, po dëmton vendin aq shumë sa që një gjë e tillë e tejkalon edhe imagjinatën e Kurtit.

“Nëse ka ndonjë sinjal për situata serioze, Kurti duhet ta njoftojë opozitën dhe partnerët. Nëse nuk është reale mundësia e luftës, atëherë kush investon në një Kosovë nëse është në gjendje lufte? Kush e njeh më? Si mund të anëtarësohet Kosova në organizata ndërkombëtare? Nëse situata është serioze, kryeministri Kurti duhet të japë shpjegim publik dhe informim politik neve, deputetëve të Kuvendit”, ka shtuar ai.

Për Hoxhajn sipas Kushtetutës së Kosovës, kryeministri dhe presidentja kanë për detyrë të thërrasin mbledhje urgjente të Kuvendit të Kosovës çdoherë kur të njëjtit kanë informacione të besueshme se ka rrezik të drejtpërdrejtë për luftë dhe konflikt të armatosur.

“Çfarë mënyre komunikimi është kjo e partisë institucionale kur flasin për luftë e nuk zbatojnë detyrat kushtetuese që kanë ndaj vendit dhe qytetarit?”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore