Lajme

Hoxhaj kritikon krerët institucionalë për mosreagim ndaj deklaratës së G7, “politika e tyre është e rënies së lirë”


Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka drejtuar kritika ndaj presidencës dhe qeverisë së Kosovës që nuk kanë reaguar ndaj mbështetjes që G7-ta ia dha Kosovës.

Hoxhaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se heshtja e krerëve të institucioneve në këtë rast tregon realitetin aktual.

“Deklarata e tyre (G7) e së shtunës tregon se është shanse për të arritur marrëveshjen e njohjes së ndërsjellë dhe anëtarësimin në OKB! Heshtja e Presidencës dhe Qeverisë tregon se kanë problem me orientimin në kohë dhe hapësirë dhe politika e tyre e jashtme është politikë e rënies së lirë!”, ka shkruar Hoxhaj.

Tutje, ai ka shtuar se nga kjo mbështetje goditet vetëm një vend fqinj.

“G7, të shtunën, mbështetën Kosovën dhe shtetet properëndimore në rajon e goditën Serbinë dhe serbët në Bosnje! As Presidenca dhe as Qeveria e Kosovës nuk thanë asnjë fjalë. Nuk ka asnjë institucion global që e ka mbështetur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si G7, grupi i shtatë ekonomive të botës (ShBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia)!”.

Ministrat e Jashtëm të G7.

Ndërsa, ka theksuar rolin e rëndësishme të G7 në pavarësinë e Kosovës.

“As shkatërrimi i Jugosllavisë, e as pavarësia e gjithë shteteve që dolën nga ajo dhe anëtarësimet në BE dhe NATO, nuk kanë ndodhur pa koordinim me G7! Për Kosovën, qëndrimet e tyre të vitit 1999 dhe 2007, ishin vendimtare për lirinë dhe pavarësinë, duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar dhe fuqizuar Kosovën!”.

Ndryshe, ministrat e Jashtëm të G7 – Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Japonisë, SHBA-së dhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, janë mbledhur në Gjermani dhe përmes një komunikate për media kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por edhe që t’i respektojnë marrëveshjet e arritura deri më tani.

Po ashtu u kërkohet “të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara pa vonesa dhe të normalizojnë marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila do të mundësojë realizimin e perspektivave të tyre përkatëse evropiane”.

Prishtinës dhe Beogradit u kërkohet që të kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe përfitojnë të gjithë njerëzit në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore