Lajme

Hoti: Trusti Pensional pa Bord, mbi 2 miliardë euro pa menaxhim


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se që nga muaji nëntor bordi i trustit pensional ka mbetur pa menaxhim.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Hoti ka thënë se mungesa e bordit mund të dëmtojë investimet e Trustit me qindra miliona euro.

“Sipas ligjit, vetëm Bordi vendos për investime apo tërheqje të mjeteve të investuara. Në rast se ulet vlera e instrumenteve financiare ku janë investuar mjetet e Trustit, siç po ndodh muajve të fundit, askush nuk mund të bëjë ndryshime në portfolion e investimeve për të evituar uljen e vlerës së investimeve ekzistuese të Trustit”.

“Në mungesë të Bordit, kursimet e mbledhura nga Trusti gjatë këtyre muajve, që mund të jenë në miliona euro, nuk do të mund të investohen në tregje financiare. Kështu që, miliona euro të kursimeve të qytetarëve do të mbesin në trezorët e BQK-së të pa investuara që nuk sjellin asnjë kthim, të cilat do t’i zhvlerësoj inflacioni”, ka shkruar Hoti.

Edhe pse konkursi është shpallur Hoti ka thënë se nuk është marrë asnjë masë.

“Mandati i anëtarëve të Bordit të Trustit Pensional ka mbaruar më 30.11.2022. Sipas ligjit  është zgjatur mandati Bordit të vjetër edhe për 3 muaj, ky mandat shtesë ka mbaruar më 01.03.2023. Konkursi është shpallur para tre muajve më 02.12.2022, po deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Konkursi do të duhej të ishte shpallur disa muaj para se të mbaronte mandati i Bordit, në mënyrë që të kishte kohë të mjaftueshme për të zgjedhur Bordin e ri”.

Ndër të tjera, ai ka thënë se sipas ligjit personat përgjegjës duhet të japin llogari e që në këtë rast janë Ministri i Financave, Auditori i Përgjithshëm dhe Guvernatori i BQK-së.

“Do të kërkoj mbledhje urgjente të Komisioni Parlamentar për Buxhet për të shqyrtuar këtë situatë”.

“Mazhoranca që qeveris me vendin e ka refuzuar projektligjin për tërheqje të mjeteve nga Trusti. Tani, me neglizhencën e saj, po i dëmton me miliona euro qytetarët”.

Për një kohë të gjatë i bllokuar kishte qëndruar edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit, pasi për këtë institucion Kuvendi i Kosovës nuk kishte emëruar anëtarët e bordit.

Gjatë periudhës së marsit të vitit 2022 mbi 300 milionë euro kanë qenë të bllokuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore