Lajme

Hoti nga Izraeli kërkon që të hiqen vizat në mes të dy vendeve


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë vizitës së tij në Izrael ka kërkuar që të hiqet regjimi i vizave në mes të dy vendeve.

Hoti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) i kanë shtruar disa çështje për diskutim, ndër të cilat edhe “heqjen e regjimit të vizave mes dy vendeve në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të udhëtojnë lirshëm, e cila gjë u mirëprit jashtëzakonisht mirë”.

“Kërkuam që sa më parë të hapet ambasada izraelite në Prishtinë; propozuam nënshkrimin e disa marrëveshjeve ekonomike për të nxitur bashkëpunimin tregtar dhe investimet mes dy vendeve tona, siç janë: marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për tregti të lirë dhe marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë mes dy vendeve”, ishin çështjet e tjera që u diskutuan në mes të delegacionit të Kosovës që po qëndron në Izrarel dhe Kryetarit të Kuvendit Izraelit.

SI çështje tjetër, ish-kryeministri i Kosovës ka bërë me dije se ka qenë edhe “marrëveshja për bashkëpunim mes dy parlamenteve”.

“Të gjitha këto marrëveshje vendosin bazat për të hyrë në bashkëpunim strategjik me Izraelin, jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe në shumë fusha të tjera”.

Po ashtu, bëhet me dije se kreut të kuvendit izraelit i është dorëzuar ftesa për ta vizituar Kosovën, “e cila duhet të ndodh në muajin tetor”.

Ndryshe, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, me 11 qershor, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, njoftoi se po qëndron në Izrael për një vizitë zyrtare të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael të Kuvendit të Kosovës.

“Në dy ditët në vijim, bashkë me kolegët e Grupit të Miqësisë, do të takojmë Kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Grupin homolog të Miqësisë. Do të vizitojmë disa qendra për hulumtime strategjike dhe të sigurisë në Jerusalem”, shkroi Hoti.

Në këtë “vizitë historike” në Izrael, siç njoftoi deputeti Hoti do të bashkohen edhe një grup i bizneseve të Kosovës, të cilat do të vizitojnë odat ekonomike në Izrael dhe do të zhvillojnë takime individuale me biznese për të parë mundësitë e bashkëpunimit.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, i cili pati nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, nga e cila kishte ardhur edhe njohja e Izraelit, tha se tash duhet të punohet në drejtim të forcimit të marrëdhënieve.

“Jam shumë i kënaqur që kjo vizitë po bëhet realitet. Njohja e Kosovës nga Izraeli ka qenë historike edhe për faktin se ka ndodhur drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë. Tani duhet të punojmë shumë që marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin të jenë shumë të ngushta, në veçanti në sferën ekonomike ku mundësitë janë të pafundme”.

Grupi i Miqësisë Kosovë-Izrael në Kuvendin e Kosovës, përbëhet nga deputetë të gjitha grupeve parlamentare dhe kryesohet nga deputeti Hoti, ndërsa grupi ka për qëllim thellimin e partneritetit mes Kosovës dhe Izraelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore