Lajme

Hoti, Kurtit: Qepja e thesit ndodhi vetëm për shqiptarët, por e hapët për serbët në veri


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se kryeministri Albin Kurti po krenohet për “qepjen e thesit të shqyer”, por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm për shqiptarët e jo edhe serbët e veriut.

Ky reagim i ish-kryeministrit të Kosovës vjen pak çaste pas intervistës së kryeministrit Kurti në Radio Televizionin Dukagjini, ku ka përmendur të hyrat tatimore dhe deficitin buxhetor si “sukses” të qeverisjes së tij dy-vjeçare.

Sipas deputetit të LDK-së dhe njëherit edhe profesor ekonomie, ekzekutivi kosovar e ka hapur thesin për serbët, duke ua paguar shpenzimin e energjisë elektrike që sipas të dhënave të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, për periudhën janar-shkurt, janë shpenzuar, por nuk janë paguar mbi 8 milionë euro.

“Krenohen se u teproi buxheti në fund të vitit 2022, sepse ‘e kanë qepur thesin e shqyer’. Por ‘qepja e thesit’ ndodhi vetëm për shqiptarët. E për serbët në veri e hapën thesin — 98 mil euro paguan për ta për energjinë. Mashtruesit kanë emër!”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe, opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Paralelisht vazhdon pingpongu i pushtetit dhe opozitës se kush ka më shumë faj. Me diskurs krejt të ndryshëm po u përgjigjen edhe thirrjeve e presioneve perëndimore për zbatimin e Planit Evropian, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore