Lajme

Hong Kong: Kina miraton planin e kontrollit për sistemin zgjedhor


Legjislatura e Kinës miratoi ditën e enjte, më 11 mars, rezolutën “patriotë që qeverisin në Hong Kong”, gjatë Kongresit Popullor Kombëtar (KPK), i cili ka një javë që është mbledhur.

Në këtë mënyrë, Kina do të forcojë kontrollin e saj në sistemin zgjedhor të Hong Kong-ut.

Kina do të zvogëlojë po ashtu përfaqësimin demokratik dhe do të krijojë një panel pro-Pekinit për të kontrolluar kandidatët “patriotë”.

Rezoluta u miratua me 2 mijë e 895 vota pro, zero vota kundër dhe një abstenim. Votimi u zhvillua në dy sesionet e KPK-së, e cila është konferenca më e rëndësishme politike e Kinës.

Legjislacioni i hollësishëm do të hartohet dhe mund të miratohet në Hong Kong brenda disa muajve të ardhshëm.

Kritikët thonë se tani që u miratuan reformat në mënyrë efektive do të zhdukin çdo kundërshtim të mbetur.

“Ndryshimet e mëdha do të kufizojnë në mënyrë dramatike hapësirën për kontestime politike në Hong Kong, i cili është objektivi unik i rregullave të reja”.

Kontrolli i Pekinit në Hong Kong përfshin miratimin e një ligji të sigurisë kombëtare dhe një goditje ndaj aktivistëve dhe politikanëve të opozitës.

Kujtojmë se nënkryetari i KPK-së, Wang Chen, javën e kaluar deklaroi se ndryshimet ishin të nevojshme, pasi “trazirat që ndodhën në shoqërinë e Hong Kong-ut, zbuluan se sistemi zgjedhor ekzistues ka boshllëqe dhe mangësi të qarta”.

Ai tha se “rreziqet në sistem” duhej të hiqeshin për t’u siguruar që “patriotët” ishin në krye.

Çfarë do të thotë kjo për Hong Kong-un?

Parlamenti i Hong Kong-ut ose Këshilli Legjislativ (LegCo) ndihmon në bërjen dhe ndryshimin e ligjeve të Hong Kong-ut.

Ajo përbëhet nga 70 vende, por vetëm gjysma votohet drejtpërdrejtë nga publiku. Vitet e fundit disa vende janë mbushur nga mbështetës pro-demokracisë.

Gjysma tjetër është mbushur kryesisht nga grupe më të vogla, të cilat përfaqësojnë interesa të veçantë si biznesi, bankat dhe tregtia, sektorë që historikisht janë pro-Pekinit.

Tani që u miratua ligji, Komiteti Elektoral pro-Pekinit do të marrë kompetenca të reja mbi LegCo.

Ai do të verifikojë të gjithë kandidatët e LegCo-së dhe do të zgjedhë shumë nga anëtarët e tij, duke zbehur numrin e zgjedhur drejtpërdrejtë nga publiku.

Cili është konteksti i gjithë kësaj?

Hong Kong, një ish-koloni britanike, është një pjesë e Kinës, por që qeveris sipas një marrëveshjeje unike dhe një mini-kushtetutë të quajtur Ligji Themelor. Me parimin “një vend, dy sisteme”.

Kjo për të mbrojtur liritë e caktuara për Hong Kong-un: liria e mbledhjes dhe e fjalës, një gjyqësor i pavarur dhe disa të drejta demokratike. Liri, që asnjë pjesë tjetër e Kinës kontinentale nuk i ka.

Por frika se ky model po gërryhet, çoi në protesta të mëdha pro-demokracisë në vitin 2019.

Protestat u kthyen në dhunë vitin e kaluar, kur KPK-ja miratoi ligjin e sigurisë kombëtare. Sipas të cilit zvogëloi në mënyrë efektive autonominë e Hong Kong-ut, duke e bërë më të lehtë dënimin e demonstruesve.

Pekini tha se ligji synonte “kryengritjen” dhe do të sillte stabilitet.

Qëkur ligji është miratuar në qershor, rreth 100 njerëz janë arrestuar, duke përfshirë kritikun kinez dhe manjatin e medias, Jimmy Lai. Ai është duke pritur vendimin e gjyqit në paraburgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore