Lajme

Kinë, Pekini vendosi të rishikojë sistemin zgjedhor të Hong Kong-ut


Nënkryetari i Kongresit Popullor Kombëtar (KPK) në Kinë, Wang Chen, ka paralajmëruar ditën e premte, më 5 mars, se Pekini do të mblidhet për të rishikuar sistemin zgjedhor të Hong Kong-ut.

Reforma e sistemit ka ardhur pas protestave të qytetarëve të Hong Kong-ut, në lidhje me qeverisjen e Pekinit ndaj tyre. Prandaj Pekini kërkon të forcojë ndikimin e vet në Hong Kong dhe të mos tolerojë më asnjë kundërshtim në qytet.

Ky projektvendim do të diskutohet gjatë KPK-së, i cili do të zgjasë për një javë. Mijëra ligjvënës janë mbledhur për takimin në Pekin.

Përveç vendimit për sistemin zgjedhor të Hong Kong-ut, parlamenti pritet të diskutojë dhe miratojë synimet e rritjes ekonomike, si dhe politikat mjedisore nga qeveria qendrore.

Çfarë pretendohet në ndryshimet e planifikuara për Hong Kong-un?

Chen njoftoi se Pekini do të ndryshojë mënyrën e formimit të Komitetit Zgjedhor të Pekinit dhe do t’i japë kompetenca të reja mbi organin ligjbërës të Hong Kongut, Këshillin Legjislativ (LegCo).

Komiteti zgjedhor, i cili është i mbushur me mbështetës të Pekinit, do të jetë në gjendje të propozojë kandidatë të LegCo-s dhe të zgjedhë një pjesë “relativisht të madhe” të anëtarëve të tij.

Ai nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, por raportohet se LegCo, e cila përfaqësohet nga 70 anëtarë, parashikon një rritje të vendeve. Ku këta anëtarë shtesë do të zgjidhen nga komiteti zgjedhor. Kjo gjë do të dobësonte në mënyrë efektive përqindjen e anëtarëve të LegCo-s, pasi ata zgjidhen drejtpërdrejtë nga publiku.

Chen tha se ndryshimet do të rregullojnë ato që ai i quajti “boshllëqe” në sistemin zgjedhor të Hong Kong-ut. Sipas tij, kjo ka sjellë që aktivistët e opozitës që, mbrojnë pavarësinë e qytetit, të bëhen anëtarë të LegCo-s.

Masa vjen pas zbatimit të një ligji të sigurisë kombëtare, për të cilin kritikët thonë se po përdoret nga Pekini për të shtypur mospajtimin në qytet dhe një goditje ndaj aktivistëve dhe figurave të opozitës.

47 aktivistë pro-demokracisë u arrestuan një javë më parë nën akuzën për “përmbysje” sipas ligjit të ri.

Hong Kong, në hijen e Kinës

Hong Kong, një ish-koloni britanike, është një pjesë e Kinës, por është qeverisur nën parimin e “një vendi me dy sisteme”. Kjo do të thotë se ka sistemin e tij ligjor dhe të drejtat, duke përfshirë fjalën e lirë dhe lirinë e shtypit.

Por, shumë kritikë në Hong Kong dhe grupet e të drejtave e kanë akuzuar Kinën për shkatërrimin e këtyre lirive dhe autonomisë në vitet e fundit. Ka pasur protesta të dhunshme në vitin 2019.

Përpara KPK-së, zyrtarë të ndryshëm të Hong Kongut dhe Kinës kishin sjellë idenë e “patriotëve” që qeverisin Hong Kong-un.

Qyteti ka mbetur praktikisht pa asnjë kundërshtim, pasi të gjithë ligjvënësit pro-demokracisë së qytetit dhanë dorëheqjen vitin e kaluar.

Por, deri vonë, Hong Kong-u kishte një opozitë të vogël që arriti sukses në zgjedhjet lokale.

“Në 2019, pan-demokratët dolën jashtëzakonisht mirë, gjë që ishte alarmante për Partinë Komuniste Kineze (PKK), sepse tregoi se e gjithë retorika e tyre negative nuk dukej se po funksiononte”, u shpreh një profesor i politikës, Ian Chong.

“Mendoj se PKK-ja dëshiron të heqë zërat që nuk u pëlqen të dëgjojnë”.

Kritikët thonë se është disi e pabesueshme që qeveria kineze ndjeu nevojën për të ndryshuar atë që ishte një sistem zgjedhor i manipuluar rëndë në favor të kampit pro-Pekinit.

Ajo që duhet të ketë tronditur PKK-në, ishte kalimi i pushtetit nga dora e tyre në duart e kandidatëve pro-demokracisë në zgjedhjet e fundit të këshillit të rrethit.

Një komitet zgjedhor i kontrolluar nga Pekini, jo vetëm që do kontrollojë të gjithë kandidatët që qëndrojnë në zgjedhje, por gjithashtu emëron drejtpërdrejtë “një pjesë të madhe” të Këshillit Legjislativ.

Do të jetë pothuajse e pamundur që çdo kandidat, që mbron ndryshimin demokratik, të zgjidhet në detyrë.

Çfarë parashikon tjetër Kina në KPK?

Kryeministri i Kinës, Li Keqiang, deklaroi se vendi kishte vendosur objektivin e tij të rritjes ekonomike mbi 6%.

Pekini nuk vendosi një objektiv të rritjes ekonomike vitin e kaluar. Kjo, pasi vitin e kaluar po merrej me pasojat ekonomike nga pandemia e coronavirusi-t.

Çfarë mund të presim nga KPK në ditët në vijim?

Kongresi gjithashtu do të miratojë zyrtarisht Planin e 14-të pesëvjeçar, që u njoftua në fund të vitit të kaluar.

Kina është e vetmja ekonomi e madhe në botë që paraqet një plan politik pesëvjeçar dhe e ka bërë që nga viti 1953.

Ai gjithashtu do të jetë kampion i modelit “me qarkullim të dyfishtë”, ku Kina do të nxisë konsumin e brendshëm (ose “qarkullimin e brendshëm”), ndërsa furnizon ushqimin për të eksportuar tregjet jashtë shtetit (ose “qarkullimi i jashtëm”).

Pandemia është kryesisht nën kontroll në Kinë dhe për shumicën e njerëzve jeta është kthyer në normalitet. Kina ishte ekonomia e vetme kryesore në botë që shënoi rritje vitin e kaluar.

Çfarë funksioni ka KPK?

Ndërsa KPK, në teori, është institucioni më i fuqishëm i vendit, në të vërtetë ligjvënësit zakonisht përfundojnë duke miratuar plane dhe politika të vendosura më parë nga qeveria qendrore.

Takimi zhvillohet me gati 3 mijë delegatë nga i gjithë vendi. Ata përfaqësojnë provincat, rajonet autonome dhe rajonet e posaçme administrative të Hong Kong-ut dhe Macau-t.

Gjithashtu ky takim zhvillohet paralelisht me Konferencën Konsultative Politike të Popullit Kinez. Takim i organit më të fuqishëm këshillimor politik në vend.

Këto takime kanë filluar ditën e enjte, më 4 mars, dhe kolektivisht mbledhjet janë quajtur “Dy Seancat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore