Lajme

Holanda urdhëron mbylljen e ‘stacioneve të policisë ilegale kineze’ në vend


Holanda ka kërkuar mbylljen e dy “stacioneve policore të paligjshme”, të cilët  mendohet se janë ngritur nga shteti kinez.

Sipas raportimeve të mediave, Pekini  i ka pasur këto ndërtesa në Amsterdam dhe Roterdam që nga viti 2018.

Kjo, për të monitoruar disidentët.

Nga ana tjetër, shteti kinez ka mohuar akuzat e bëra ndaj tij.

Organizatat jo-qeveritare kanë pohuar se “stacionet e policisë” përdorin ish-ushtarakë dhe oficerë të inteligjencës për të bërë që kundërshtarët politikë të heshtin, në vend që të ofrojnë shërbime të njohura diplomatike.

“Ne i kemi kërkuar ambasadorit kinez sqarim të plotë mbi të ashtuquajturat stacione të shërbimit policor që kryejnë detyra në Holandë në emër të qeverisë kineze”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra.

“Duke qenë se nuk është kërkuar leje nga Holanda për këtë, ministria ka njoftuar ambasadorin se stacionet duhet të mbyllen menjëherë”, shtoi ai.

Në shtator, OJQ-ja spanjolle “Safeguard Defenders” raportoi se të paktën 36 “stacione policore” kineze janë ngritur në vendet evropiane, duke përfshirë Francën, Italinë, Portugalinë dhe Spanjën.

Një hetim i ri nga “RTL News” dhe platforma e gazetarisë investigative “Follow the Money” konfirmoi se dy nga këto stacione funksiononin në Holandë.

Sipas “RTL-së”, një “stacion policor” në Amsterdam u hap nga policia në rajonin lindor kinez të Lishui, ndërsa një tjetër në Roterdam, i cili operohet nga qyteti i Fuzhou.

Autoritetet në Spanjë dhe Irlandë kanë hapur gjithashtu hetime për “stacionet e policisë kineze”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore