Stil

H&M heton abuzimet me fuqinë punëtore të fabrikës në Mianmar


Kompania e veshjeve H&M po heton 20 raste të dyshuara të abuzimit me fuqinë punëtore në fabrikat e veshjeve të Mianmarit që e furnizojnë atë.

Lëvizja vjen vetëm disa javë pas pronarit kryesor rival të Zara-s, Inditex, që ka bërë me dije se po hiqte gradualisht blerjet nga vendi i Azisë Juglindore.

Një grup në mbrojtje të të drejtave të njeriut me bazë në Britani të Madhe ka gjurmuar 156 raste të abuzimeve të dyshuara të punëtorëve në fabrikat e veshjeve të Mianmarit nga shkurti 2022 deri në shkurt 2023.

Vitin e kaluar ishin vetëm 56, çka tregon një përkeqësim të të drejtave të punëtorëve që nga një grusht shteti ushtarak në shkurt 2021.

Ulja e pagave dhe vjedhja e pagave ishin akuzat më të shpeshta të raportuara, të ndjekura nga shkarkimet e padrejta, normat çnjerëzore të punës dhe jashtë orarit të detyruar, sipas një raporti nga organizata joqeveritare, Qendra e Burimeve të Biznesit dhe të Drejtave të Njeriut (BHRRC).

“Të gjitha rastet e ngritura në raport nga BHRRC po ndiqen dhe aty ku është e nevojshme korrigjohen përmes ekipit tonë lokal në terren dhe në bashkëpunim të ngushtë me palët përkatëse të interesuara”, ka deklaruar H&M.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga zhvillimet e fundit në Mianmar dhe shohim sfida të shtuara për të kryer operacionet tona sipas standardeve dhe kërkesave tona”, ka vijuar deklarata.

BHRRC ka ndjekur akuzat për abuzime të të drejtave të punëtorëve në fabrikat e veshjeve që kur junta ushtarake mori pushtetin në Mianmar, duke e zhytur atë në krizë politike dhe humanitare.

Gjurmuesi përfshin raste abuzimi në 124 fabrika të veçanta.

BHRRC ka treguar se gjurmon rastet e abuzimeve të supozuara përmes burimeve, duke përfshirë liderët e sindikatave, mediat ndërkombëtare dhe mediat lokale si Myanmar Labor News, dhe kërkon të verifikojë raportet duke kontrolluar me markat dhe duke intervistuar punëtorë.

Referuar raportit, ka pasur 21 raste të abuzimeve të dyshuara të lidhura me furnizuesit e Inditex gjatë periudhës dyvjeçare dhe 20 të lidhura me furnizuesit e H&M.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore