Sport

Historike


Cristiano Ronaldo sapo ka arritur të bëhet futbollisti me më së shumti gola në histori të kombëtarëve.

Ai ka parakaluar iranianin Ali Daei, që kishte 109 gola.

Në ndeshjen e Portugalisë përballë Irlandës, në mënyrë heroike, Ronaldo u kthye nga figura më “e urryer” e mbrëmjes, në heroin e saj.

Pas 15 minutave lojë, portugezi shpërdoroi mundësinë e artë, duke gabuar nga pika e penalltisë.

Irlanda shfrytëzoi gabimin e Ronaldo-s, e pjesën e parë e mbylli në epërsi.

Deri në fund, u duk se ishullorët po shkonin drejt një fitoreje të madhe në tokën luzitane, derisa në skenë, u ngjit Cristiano Ronaldo.

Fillimisht, në minutën e 89-të, ai barazoi duke shënuar me kokë për 1-1.

Ky gol ishte edhe ai i historisë, me Cristiano-n që u shndërrua në golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në futbollin e kombëtareve.

Por, ai nuk u ndal vetëm me kaq.

Në minutën e 96-të, kur ndeshja po afrohej drejt vërshëllimës së trefishtë, Ronaldo fluturoi përsëri.

Portugezi arriti që përsëri me kokë, të gjejë rrugën e rrjetës, duke i siguruar Portugalisë fitoren në një mënyrë shumë të bukur.

Për të shkruar historinë, u desh një ndeshje historike, Cristiano e bëri.

Golashënuesi më i mirë për klube, golashënuesi më i mirë në histori të sportit, tani bëhet edhe më i miri në histori të kombëtareve.

785 gola në karrierë, por Ronaldo duket se nuk dëshiron të ndalet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore