Lajme

Historiani amerikan mendon se Putin po “humb kontrollin”


Profesori i Historisë në Universitetin Yale, Timothy D. Snyder konsideron se regjimi i Vladimir Putin-it (Presidenti i Rusisë) ka filluar të “dobësohet”.

Ai beson se në Moskë tashmë kanë filluar përgatitjet për luftën për pushtet.

Lajmi u bë i ditur nga “Newsweek”.

Në veçanti, historiani amerikan vuri në dukje disa shenja se autokrati rus po “humb kontrollin”.

Mes tyre janë edhe deklaratat e disa zyrtarëve rusë, si Dmitri Medvedev, për pasojat që gjoja e presin Ukrainën dhe Perëndimin.

Medvedev është një aleat i vendosur i Putin-it, i cili dikur e zëvendësoi për pak kohë si president.

Kohët e fundit ai deklaroi se përgjigja perëndimore ndaj pushtimit rus të Ukrainës mund të çojë në atë që shteti ukrainas “të humbasë mbetjet e sovranitetit të tij dhe të zhduket nga harta botërore”.

“Zakonisht raportimi i deklaratave të tilla përqendrohet në përmbajtje. Është shumë e lehtë t’i nënshtrohesh propagandës ruse të frikës. Por historia e vërtetë është se njerëzit e afërt me Putin-in tani mendojnë se mund të bëjnë deklarata të tilla. Para luftës, kishte më pak të tilla”, vuri në dukje Snyder.

Ai shtoi se një “propagandë e dënimit” të tillë tregon besnikëri ndaj Putin-it, por në të njëjtën kohë tregon përgatitjen “për betejën për pushtet pas rënies” të presidentit rus.

“Nëse Rusia e humb luftën, njerëzit që tani po thonë gjëra radikale do të mbrohen. Nga ana ime, unë prirem t’i shoh deklaratat e ashpra si dëshmi se rusët me ndikim mendojnë se Rusia do të humbasë”, thotë historiani.

Përveç kësaj, sipas Snyder, Putin konsiderohet i dobët sepse ushtria e tij nuk mund t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë.

Disa kritikë dhe zyrtarë gjithashtu shprehën më parë një vlerësim të ngjashëm.

Në veçanti, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken theksoi se Putin nuk ka arritur asgjë me luftën e tij kundër Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore