Kosova

Hilli pret që Kurti e Vuçiçi të reflektojnë: Shansin për të menduar e kanë pasur gjatë verës


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka konsideruar se “përbërësit” për një paqe afatgjatë mes Kosovës dhe Serbisë janë – formimi Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Në një intervistë për rrjetin amerikan të lajmeve “Zëri i Amerikës”, programi në gjuhën serbe, diplomati amerikan ka thënë se palët e angazhuara në terren kanë pasur shansin për të menduar për zgjidhjen e krizës gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë.

“Të gjithë patën një shans për të menduar gjatë verës dhe shpresoj se mund të përmirësohemi […] Unë do të thoja se është gusht dhe shumë njerëz janë me pushime, do të duhet të shohim se si do të shkojë në shtator. Besoj se kjo është një çështje që kërkon zgjidhje urgjente dhe se duhet progres”.

“Po të jem unë në vendin e Serbisë do të doja të zgjidhja problemin me Kosovën, për të treguar se ende mbështesin komunitetin serb në Kosovë, por, krejt në fund, për të parë se cilat janë lëvizjet më të gjera strategjike që duhen bërë për t’u afruar me Perëndimin”, ka shtuar ai.

Hill ka komentuar edhe letrën e dhjetëra ligjvënësve evropiano-amerikanë, të cilët, përveçse kanë konsideruar se diplomacia perëndimore nuk po funksionon, kanë kërkuar nga shefat e diplomacive në Bruksel, Londër dhe Uashington, një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj Serbisë.

Për diplomatin amerikan, politika perëndimore në raport me dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është gjithnjë e duhura, pavarësisht nëse është e suksesshme apo jo, derisa ka paralajmëruase se – megjithatë – loja ende nuk ka mbaruar.

“Sigurisht që ne do të donim që dialogu i Brukselit të zhvillohet shumë më shpejt, ne mbështesim (Miroslav) Lajçakun sepse mendojmë se është qasja e duhur. Dhe ne dëshirojmë të shohim një marrëveshje të bazuar në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka thënë Hill.

Diplomatët evropianë dhe ata amerikanë presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit të marrëdhënieve, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve që kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel (27 shkurt) dhe më pas në mes të marsit në Ohër (18 mars).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore