Lajme

Hill: Shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e SHBA-ve, shpresoj që të gjithë t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për Radio Televizionin e Preshevës, pasi sërish është kthyer tema e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, tha se kjo çështje nuk është në agjendën e SHBA-ve.

“Unë nuk besoj dhe e di me siguri që shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E di se kjo ka qenë një temë e shekujve të kaluar, jo vetëm në Evropë, por edhe në vendet e tjera. Por, shkëmbimet e territoreve mund te jenë fatale”, theksoi ai.

Diplomati amerikan nënvizoi se  askush në Uashington, në Bruksel dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç pak njerëzve që mund të besojnë se shkëmbimi i territoreve do të bëhej në mënyrë paqësore.

“Ajo për të cilën duhet të brengosemi është se ky rajon i Serbisë [Lugina e Preshevës], dhe rajonet e tjera në Kosovë [pjesa veriore e Kosovës]… ne besojnë që njerëzit mund të lëvizin lirshëm dhe të mos bllokohen vetëm në një vend të caktuar”, shtoi ambasadori Hill

Ai ndër të tjera paralajmëroi se do të angazhohet që t’i sjellë investitorët amerikan në Luginën e Preshevës, ndonëse potencoi se bizneset dhe kompanitë amerikane nuk e dëgjojnë fort qeverinë.

“Asgjë s’do të më kënaqte më shumë se të shihja investitorë amerikanë në këtë pjesë të Serbisë. Kjo pjesë e Serbisë ka nevojë për investime, njerëzit këtu janë shumë punëtorë dhe unë do të doja të shihja investime. Problemet politike e kanë ngadalësuar zhvillimin ekonomik”, tha ai.

Në këtë intervistë, veterani i diplomacisë amerikane komentoi edhe nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, duke shpresuar që sa më shumë shtete të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen kësaj nisme e cila erdhi si rezultat i plogështisë së Procesit të Berlinit.

“Nuk kam asnjë dyshim se Ballkani i Hapur është shumë relevant për Preshevën. Unë do të dëshiroja që sa më shumë shtete të Ballkanit t’i bashkohen Ballkanit të Hapur. Jemi dëshmitar të një raporti historik mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke iu falenderuar Ballkanit të Hapur”, theksoi Hill.

Ambasadori Hill gjatë së hënës dhe së martës qëndroi për një vizitë në Luginën e Preshevës, ku takoi përfaqësuesit politik të shqiptarëve në këtë pjesë të Serbisë – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – dhe iu premtoi se do të mundohet t’i adresojë problemet dhe kërkesat e shqiptarëve.

Hill në Luginën e Preshevës: Do të kthehem në Beograd dhe të shoh se çka mund të bëj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore