Kosova

Hill kërkon vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Serbisë pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka potencuar se Administrata Amerikane, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, pret vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e Serbisë për çështje me interes të përbashkët.

“Kjo, natyrisht, përfshin çështjet rajonale, por edhe dëshirën e Serbisë për t’u bërë plotësisht pjesë e familjes së kombeve perëndimore”, tha Hill në një video-mesazh ndërsa potencoi se Serbia duhet t’i arrijë shumë për të qenë e gatshme për këtë rrugëtim, e njëra prej tyre është sundimi i ligjit.

Duke komentuar parregullsitë e shumta të raportuara gjatë procesit zgjedhor të dielën, ambasadori amerikan, ka theksuar se në këtë fazë është e rëndësishme që Serbia të punojë me vëzhguesit për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi, megjithëse janë raportuar një numër i parregullësive gjatë votimit.

Lista e partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi 47 për qind të votave apo 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, kurse koalicioni opozitar liberal “Serbia kundër dhunës”, fitoi 23 për qind të votave apo 63 ulëse në legjislativin e ri të Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore