Lajme

Hill: Besoj se Serbia ka forcën për të lënë anash ankesat e saj ndaj bombardimeve të NATO-s


Christopher Hill

Me rastin e përvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter ka bërë apel popullit serb për të lënë anash ankesat e tij ndaj fushatës ajrore.

Hill shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjet e të vrarëve në luftërat e viteve 1990, përfshirë të vrarët në bombardimet e NATO-s.

“E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij”, ka shkruar Hill në Twitter.

Ai theksoi se përkushtimi i SHBA-së për partneritet me Serbinë është i palëkundur, po ashtu edhe përkushtimi ndaj diplomacisë.

“Së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë që populli i Serbisë e meriton dhe e dëshiron për brezat e ardhshëm. Unë ia kushtova jetën time diplomacisë – gjetjes së zgjidhjeve diplomatike për problemet në dukje të pazgjidhshme. Gjatë karrierës sime diplomatike mësova se diplomacia ndonjëherë dështon. Kur kjo të ndodhë, pasojat mund të jenë tragjike”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore