Lajme

Hill: Asociacioni të vendoset në tryezë dhe të bisedohet seriozisht për të


Chritopher Hill gjate emisionit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar këtë të premte se në vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi dhe në takimin e caktuar për 18 gusht mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në rend dite duhet të jetë edhe tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Mendoj se Asociacioni është një rrugë e mirë, për të është folur prej vitesh. Është koha ta vendosim në tavolinë dhe të bisedojmë seriozisht për të”, deklaroi ambasadori veteran në emisionin Oko në Radio Televizionin e Serbisë.

Ai theksoi se zgjidhje të tilla ekzistojnë në shumë vende demokratike dhe vlerësoi se “mund të aplikohen edhe në Ballkan”, duke theksuar se “çdo vend, përfshirë edhe Kosovën, nëse dëshiron të arrijë standardet evropiane dhe të pranohet në familjen e kombeve evropiane, atëherë duhet ta trajtojë seriozisht”.

“Të dyja palët duhet të angazhohen seriozisht për këtë çështje, për zgjidhjen e saj, për trajtimin e problemeve, me synimin që qëllimi përfundimtar të jetë funksional dhe i qëndrueshëm në botën reale”, tha Hill.

Ai shtoi se SHBA-ja sigurisht që ka vërejtur rritje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë kohët e fundit dhe vuri në dukje se të gjitha palët duhet të “frenojnë retorikën e tyre, sepse ka pasur disa fjalë të ashpra, të cilat nuk janë shumë të dobishme në këtë proces”.

“Kjo lloj atmosfere nuk ndihmon kurrë. Ka pasur shumë përgatitje për javën e ardhshme dhe jam optimist se do të ketë përparim. Njerëzit me të vërtetë kanë nevojë për atë përparim, e gjithë kjo po zgjat shumë”, tha ambasadori.

Sipas top-diplomatit amerikan, Marrëveshja e Uashingtonit i nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e ish-presidentit Donald Trup, është njëra nga marrëveshjet më të pazakonta.

Koncepti i këtij marrëveshjeje sipas Hillit, është “le të fokusohemi te ekonomia”.

“Mendoj se fryma e asaj marrëveshjeje është e pranishme në bisedimet e tanishme, por nuk do të doja të përfshihesha në çështjet e interpretimit të legalitet, se cila marrëveshje është më e rëndësishme”, ka shtuar Hill.

Një qëndrim i tillë amerikan, i prezantuar nga Hill është në kundërshtim të plotë me çfarë Kosova dëshiron nga bisedimet në Bruksel.Kryeministri Kurti disa herë e ka bërë të ditur se s’është për asociacion etnik dhe prej kohësh e konsideron copëtim dhe bosnjëzim të Kosovës – me bosnjëzim duke nënkuptuar jo funksionalitet të shtetit.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përtej se e ka kritikuar si opsion, ka thënë se “kurrë” asnjë variant i Asociacionit nuk do të pranohet nga qeveria, “hiqe bre kurrë”.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është goditur edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke e gjetur në më shumë se në 20 vende jashtë frymës kushtetuese të Kosovës.

Se sa i dëmshëm është Asociacioni për Kosovën, qoftë ai me kompetenca ekzekutive, qoftë pa këto kompetenca, e ka shpjeguar në një intervistë të gjatë për Albanian Post, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.

“Me këtë kushtetutë dhe me asociacionin, Serbia përmes përfaqësuesve politik të serbëve (si Lista Serbe) do të ishte këmbëkryq në Kosovë duke minuar e çminuar funksionimin e shtetit të Kosovës sipas tekeve të saja”, ka thënë, pos tjerash, Murati.

Ripërcaktimi i kufijve do rikthehet, s’ka opsion tjetër – kundërshtarët nuk iu frikësuan zgjidhjes historike, por historisë së një njeriu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore