Sport

Hidhet shorti i çerekfinaleve në Ligën e Kampionëve, Chelsea do përballet me Real Madrid-in


Në Nyon të Zvicrës, është hedhur shorti për çerekfinalet dhe gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Pas disa dueleve të zjarrta në raundin e 16-të të finaleve, pritet që edhe çerekfinalet të jenë shumë interesante.

Në fillim të shortit, UEFA shprehu mbështetje ndaj Ukrainës dhe kërkuan që lufta të ndalet.

Më pas, legjenda franceze, Mikael Silvestre zgjodhi ekipet që do përballen në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve janë:

Chelsea – Real Madrid

Manchester City – Atletico Madrid

Villareal – Bayern Munich

Benfica – Liverpool

Ndërsa në gjysmëfinale, fituesi i ndeshjes Manchester City – Atletico Madrid do përballet me fituesin e ndeshjes Chelsea – Real Madrid.

Ndërsa gjysmëfinalja tjetër do jetë mes fituesit të ndeshjes Villareal – Bayern Munich dhe Benfica Liverpool.

Chelsea – Real Madrid

Ndeshja mes Chelsea-t dhe Real Madrid-it do jetë shumë interesante pasi këta të fundit do kërkojnë të hakmerren ndaj londinezëve, që i eliminuan nga Liga e Kampionëve vitin e kaluar.

Në Ligën e Kampionëve, këto dy skuadra janë përballur vetëm dy herë, të cilat ishin në gjysmëfinalet e vitit të kaluar.

Njëra nga ndeshjet kishte përfunduar barazim, ndërsa tjetra me fitoren e Chelsea-t.

Blutë e Londrës janë kampionët në fuqi të Ligës së Kampionëve, por ata po kalojnë një formë jo të mirë për shkak të problemeve që Abramovich po kalon për shkak të lidhjeve me Putin-in.

Real Madrid po kalon një formë shumë të mirë, të cilët mposhtën edhe favoritët e Ligës së Kampionëve në raundin e të 16-ave, ku Benzema shënoi hatrick për të kualifikuar Los Blancos tutje.

Ndërsa Chelsea ka mposhtur bindshëm kampionët e Francës në dy ndeshje për t’u kualifikur tutje.

Manchester City – Atletico Madrid

Ndeshja mes Manchester City dhe Atletico Madrid do jetë interesante, pasi dy skuadrat luajnë një stil shumë të ndryshëm.

Këto dy skuadra nuk janë përballur kurr më parë, dhe do jetë interesante të shohim duelin mes dy trajnerëve, Pep Guardiola dhe Diego Simeone.

Manchester City e kishte siguruar kualifikimin në çerekfinale që nga ndeshja e parë, ku mposhtën Sporting-un me rezultat 0:5.

Në anën tjetër, Atletico Madrid-i e kishin më të vështirë kualifikimin, pasi u përballën me Manchester United me Cristiano Ronaldo-n në krye.

Në ndeshjen e parë përfunduan me rezultat të barabartë 1:1, ndërsa në ndeshjen e dytë fituan me epërsi minimale 1:0.

Villareal – Bayern Munich

Ndeshja mes Villareal dhe Bayern Munich do jetë interesante, edhe pse bavarezët janë favorit absolut për të kaluar tutje.

Këto dy skuadra kanë pasur vetëm dy ndeshje para kësaj, të cilat i ka fituar bindshëm Bayern-i.

Ndeshja e parë e Bayern-it në raundin e të 16-ave përfundoi me rezultat të barabartë 1:1, por gjithçka ndryshoi në duelin e dytë, ku bavarezët fituan me rezultat 7:1.

Në anën tjetër, Villareali ka befasuar të gjithë duke mposhtur Juventusin me rezultat 0:3.

Unai Emery njihet si trajner i cili mposht skuadrat e mëdha, edhe pse bavarezët janë shumë të vështirë për t’u mposhtur, skuadra spanjolle nuk është e pashpresë.

Benfica – Liverpool

Ndeshja mes Benfica-s dhe Liverpool-it do jetë po ashtu interesante, edhe pse favorit janë këta të fundit.

Këto dy skuadra janë përballur gjithsej tetë herë, ku pesë ndeshje i ka fituar Liverpool-i dhe tre Benfica.

Për të mbërritur në çerekfinale, Benfica mposhtë Ajax-in me epërsi minimale 0:1.

Në anën tjetër, Liverpool u kualifikuan me vështirësi po ashtu, pasi u dominuan nga Inter-i por në fund fituan.

Kujtojmë se finalja pritej të luhej në Saint Petersburg të Rusisë, por tani është zhvendosur për në Paris të Francës për shkak të konfliktit me Ukrainën.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore