Lajme

Hezbollahu kërcënon SHBA-të, Rusia sheh ‘rrezik të lartë’ që një palë e tretë të hyjë në konflikt


Hezbollahu kërcënon të sulmojë pozicionet amerikane në Lindjen e Mesme nëse ndërhyn drejtpërdrejt në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.

“Palestina nuk është Ukraina”, thotë një zëdhënës i grupit terrorist libanez në një deklaratë, pasi SHBA-të i afruan anijet luftarake më pranë aleatit të saj Izraelit.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “The Times of Israel”.

“Nëse SHBA-të ndërhyjnë drejtpërdrejt, të gjitha pozicionet amerikane në rajon do të bëhen objektiva legjitime të boshtit të rezistencës dhe do të përballen me sulmet tona. Dhe atë ditë nuk do të ketë asnjë vijë të kuqe”, thotë zëdhënësi.

Ndërkohë, Rusia thotë se ekziston një “rrezik i lartë” që një palë e tretë të hyjë në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.

“Rreziku që forcat e treta të përfshihen në këtë konflikt është i lartë”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nga agjencia e lajmeve TASS.

“Është shumë e rëndësishme që të gjenden mënyra sa më shpejt të jetë e mundur për të ecur drejt një lloj procesi negociues në mënyrë që të reduktohet ky përshkallëzim dhe të largohemi nga një zgjidhje ushtarake”, theksoi zyrtari rus.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani qëlloi mbi pozicionet izraelite dje dhe disa vende perëndimore kanë shprehur frikën se Irani mund të përfshihet në ofensivën e Hamasit kundër Izraelit.

Teherani zyrtar i ka hedhur poshtë akuzat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore