Sport

Herolind Shala bëhet me skuadër të re


Mesfushori kosovar, Herolind Shala, është bërë lojtari më i ri i skuadrës norvegjeze Stabak, njofton faqja zyrtare e klubit.

Herolind Shala ishte pjesë e gjigantit norvegjez Valerenga deri në janar të këtij viti, por pasi i skadoi kontrata, vendosi që t’iu bashkohet klubit tjetër norvegjez.

Kështu aventura e Shalës vazhdon ende të jetë në elitën e futbollit norvegjez, ku përveç Valerengas, më parë kishte luajtur për skuadrat Nottoden, Odd Grenland, dhe Start.

Përveç Norvegjisë, ai përjetoi aventura edhe në Çeki te klubet Sparta Praga dhe Slovan Liberec, në Turqi te Kasimpasa dhe në Danimarkë te Lyngby.

29-vjeçari pati disa oferta, por nuk ishte i kënaqur nga to, andaj vendosi që ende ta vazhdoj karrierën ne Norvegji, së paku deri në fund të sezonit.

Ekipi i ri i Shalës, Stabaek, ka bërë disa përforcime cilësore dhe ka për synim që të kërkojë një vend që i dërgon në garat evropiane.

Përndryshe skuadra e re e “futbollistit dardan”, sezonin e fundit e mbylli në vendin e tetë me 39 pikë, nga 30 ndeshje të luajtura.

Kujtojmë që Shala është njëri nga futbollistët më të rëndësishëm te ekipi i Kosovës, pasi ai shihet nga trajneri Bernard Challandes si pikë kyçe në repartin e mesfushës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore