Muzikë

Hedhet poshtë padia kundër kopertinës së albumit “Nevermind” të rock grupit Nirvana


Një gjykatës në Kaliforni ka hedhur poshtë një padi të ngritur kundër ish-anëtarëve të rock grupit të Nirvana për kopertinën e tyre ikonë të albumit “Nevermind”.

Spencer Elden paditi ish-anëtarët e grupit në muajin gusht të vitit 2021 për “shfrytëzim të fëmijëve dhe pornografi”, duke thënë se grupi me vetëdije shpërndau një foto të zhveshur të tij si foshnjë në kopertinën e albumit të vitit 1991 dhe përfitoi prej saj.

Nirvana – “Nevermind”.

Elden ishte vetëm 4 muajsh kur u fotografua për kopertinën. Tani 30 vjeç, ai kërkonte 150 mijë dollarë dëmshpërblim.

Të pandehurit në këtë rast – i cili përfshinte ish-anëtarë të grupit, si dhe pasurinë e Kurt Cobain, fotografi Kirk Weddle, Universal Music, Geffen Records, Warner Records dhe MCA Music – paraqitën një mocion për të pushuar çështjen muajin e kaluar.

Elden kishte kohë deri më 30 dhjetor për t’iu përgjigjur mocionit, por ekipi i tij ligjor humbi afatin dhe kështu çështja u pushua.

Gjykatësi, Fernando M. Olguin i Gjykatës Qendrore të Qarkut në Kaliforni tha se Elden dhe ekipi i tij ligjor kanë kohë deri më 13 janar për të rifilluar çështjen.

Nëse të pandehurit bëjnë një mocion tjetër për shkarkim, të dyja palët do të takohen më 20 janar.

Rock grupi – Nirvana.

“Në përputhje me urdhrin e gjykatës, ne do të paraqesim një ankesë të dytë të ndryshuar shumë shpejt. Ne kemi besim se Spencer do të lejohet të vazhdojë me çështjen”, tha në një deklaratë Marsh Law, firma që përfaqëson Elden.

Në kërkesën e tyre për rrëzimin e padisë, të pandehurit thonë se Elden ka përfituar nga të qenit në kopertinën e albumit si foshnjë, por edhe si i rritur.

“Elden ka shpenzuar tre dekada duke përfituar nga fama e tij si ‘Nirvana Baby’ i vetëmirosur. Ai e ka rikrijuar fotografinë në këmbim të një pagese, shumë herë, dhe ai ka bërë tatuazh në gjoks titullin e albumit ‘Nevermind’”.

“Ai është shfaqur në një talk show i veshur me një veshje vetë-parodike, me ngjyrë nudo dhe ka kopje të autografeve e kopertinës së albumit për shitje në eBay; dhe ai e ka përdorur lidhjen për të tentuar të kapë femra”, thonë të pandehurit.

Në nëntor, ekipi ligjor i Elden lëshoi një deklaratë në përgjigje të 30 vjetorit të albumit, kur u ripublikua kopertina.

“Ka kaluar koha për t’i dhënë fund shfrytëzimit të fëmijëve dhe shkeljes së privatësisë që klienti ynë ka duruar gjatë gjithë jetës së tij”, shkruan ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore