Lajme

Haziri: Sundimit të ligjit po i prin ai që s’e doni për kryeprokuror


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka reaguar ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sipas tij sundimit të ligjit nën arrestime dhe parandalimit të krimit po i prin ai që s’po e duan për kryeprokuror të shtetit, duke aluduar në Blerim Isufajn.

Haziri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Njësisë elitare të policisë, po vazhdon të mos u plotësohet asnjë kërkesë.

“Dy ministra të Kurtit rrahin gjoks për sundim ligji, por e vërteta është se sundimit të ligjit nën arrestime dhe parandalim të krimit po i prin bash ai që s’po e duan për Kryeprokuror të shtetit, e jo këta dy”.

“Po ashtu, Njësitë elitare të policisë po marrin plumba në aksione kundër krimit e asnjë kërkesë nuk u plotësohet në përputhje me kërkesat e tyre të drejta. E del tipi lëshon deklaratë që ai po “udhëheq” aksione. Lejoni shtetin ta kryej punën se ju jeni ba pengesë politike. Ata zbatojnë Kushtetutën e jo agjendën e majtë!”, ka shkruar ai.

Sipas tij, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij të fundit të tij në Gjilan u mundua ta mbuloj keq qeverisjen e kësaj komune me “mashtrim frapant”.

“E dështimin monumental që e pa Kurti sot në administrimin, e jo qeverisjen në Komunën e Gjilanit, tentoi ta mbulojë me mashtrim frapant për kinse ‘projekte gjigante”.

“Megjithatë, urime rifillimi i ‘projekteve të Lutës’, siç i referoheni ju. E keni deformuar projektin e parkut për persona me aftësi të kufizuar për të keq dhe projektin e Stanishorkës nga 1.2 milionë euro, e keni dyfishu në 2.5. Dy vite të humbura e fatkeqësisht duket se do të jetë mandat i humbur”.

Haziri konsideron se Gjilani dhe Kosova duhet të kenë më shumë se kaq.

“Mashtrimeve e kamuflimeve po u vije fundi sepse Gjilani dhe Kosovë meriton më mirë!”.

Më shumë se një vit ka kaluar që kur Prokuroria e Shtetit ka mbetur pa kryeprokuror.

Këshilli Prokurorial në prillin e vitit të kaluar pati votuar Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit, e më pas emri i tij ka shkuar te presidentja Vjosa Osmani për dekretim.

Kjo e fundit s’e ka dekretuar.

Ndërsa, Këshilli Prokurorial i Kosovës, e ka dërguar për herë të dytë emrin e Blerim Isufajt për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit tek Presidentja e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore