Lajme

Haziri: Mediat kanë të drejtë edhe kur s’kanë të drejtë


Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, duke komentuar mbi synimet e Qeverisë së Kosovës që videot dhe audio-materialet e publikuara në mediat online të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), deklaroi se deputetët që votojnë për këtë projektligj, do të mbahen mend si njerëz që janë kundër lirisë së mediave.

Haziri reagoi të mërkurën nëpërmjet një postimi në “Facebook” mbi projektligjin për KPM-në, i cili, nëse miratohet, do t’i japë mandat KPM-së të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale, duke akuzuar kreun e ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, se po tenton t’i “disiplinojë” mediat online që prodhojnë materiale audio-vizuale.

“Mediat kanë të drejtë edhe kur s’kanë të drejtë. Deputetët që votojnë për projektligjin për KPM-në, nëpërmjet të cilit Kurti me shokë po tentojnë që mediat online t’i disiplinojë, do të mbahet mend gjatë për qëndrim të hapur kundër lirisë së shtypit e shprehjes. Kjo nuk është qeverisje demoratike, kjo është përpjekje e mjerueshme për instalim të diktatit”, tha Haziri.

Projektligjin për KPM-në e kundërshtuan edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), duke e cilësuar si tentim të Qeverisë së Kosovës nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për t’i sulmuar mediat online që prodhojnë materiale audio-vizuale, bashkë me kërkesën që të tërhiqet nga kjo tentativë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore