Sport

Hazard: Do të qëndroj, dua të tregoj se jam për Real Madrid-in


Gjatë verës së vitit 2019, Real Madrid-i transferoi belgun Eden Hazard nga Chelsea për më shumë se 100 milionë euro.

Ai erdhi në Madrid si njeriu që do të udhëhiqte projektin e të ardhmes, por deri më tani, aventura e tij në kryeqytetin spanjoll ka qenë një dështim.

I shoqëruar nga lëndimet e shumta dhe paraqitjet e dobëta, Hazard ka dështuar që të lëjë gjurmën e tij në “Santiago Bernabeu”.

Mediat spanjolle që nga përfundimi i sezonit thonë që Hazard mund të largohet nga mbretërorët, por vet futbollisti belg i ka mohuar këto zëra.

“Do të qëndrojë”, tha ai, “nuk kam menduar asnjë moment se do ta kem mirë nëse largohem”.

“Nuk do të largohem si një dështim. Dua të tregoj se jam për Real Madrid-in”.

Pas eleminimit ndaj Chelsea-s, Hazard ishte kapur nga kamerat duke qeshur me ish-shokët e skuadrës.

“Po, qeshja pas ndeshjes me Chelsea-n ishte gabim. Çka ata thanë nuk ishte as qesharake, ishte thjesht një takim me shokë të vjetër”, tha Hazard, “por kërkoj falje, e di se nuk është e mirë për imazhin e Real Madrid-it”.

“Njerëzit menduan që nuk u brengosa fare pas humbjes me Chelsea-n, por në të vërtetë, asnjë ndeshje në jetë nuk doja ta fitoja më shumë se atë, isha shumë i mërzitur”.

Hazard zbuloi që Ancelotti i dërgoi një mesazh duke i thënë se është shumë i lumtur për rikthimin te Real Madrid-i.

Ai po ashtu tregoi për mesazhin që i kishte dërguar Zidane-t, duke i kërkuar faljë për “2 vitet e dështuara”.

“Një herë u ktheva shumë herët nga lëndimi, ishte gabim i imi. Kisha dy javë jashtë, kur u ktheva në stërvitje, kisha dhimbje përsëri”, zbuloi Eden, “thash me vete që kjo nuk është e mundur, nuk mund të qëndrojë edhe dy javë jashtë, duhet të kthehem”.

“Jam sërish i njëjti person, bëj qef, por nuk mund të them që jam plotësisht i lumtur”, tha Hazard, “nuk mund të jem i lumtur kur nuk e bëj atë që dua më shumë, të luaj futboll”.

Hazard është pjesë e Belgjikës për EURO 2020, ku do të tentojë të kthehet në formën e tij më të mirë, e të ndihmoj shtetin e tij drejt një suksesi historik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore