Kosova

“Haxhiu t’i ndalë kërcënimet ndaj gjyqtarëve serbë”


Ministres e Drejtësisë të Kosovës, Albulena Haxhiu

Kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në Kosovë, Mitrovica e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, i kanë bërë thirrje ministres së Drejtësisë të Kosovës, Albulena Haxhiu, që t’i ndalë siç thuhet, “kërcënimet ndaj gjyqtarëve serbë”.

Reagimi i këtyre kryetarëve ka ardhur pas konfirmimit të dënimit me dy vjet burgim të Ivan Todosijeviç-it nga Gjykata e Apelit në Kosovë, për shkak të deklaratave fyese për Masakrën e Reçakut.

“Në emër të qytetarëve të komunave tona, ne mirëpresim vendimin e gjyqtarëve serbë të cilët i dërguan mesazh të qartë Prishtinës, se është e papranueshme të shkelet Marrëveshja e Brukselit për Drejtësinë, në dëm të popullit serb, në rastin e Ivan Todosijeviçit, bazuar në atë se kur gjyqtarët tanë u integruan në sistemin e Kosovë”, thuhet në reagimin e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe.

“Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu që të ndalë së kërcënuari gjyqtarët serbë”.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka dalë në mbrojtje, deputetit të Listës Serbe dhe ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Todosijeviç për deklaratën se Masakra e Reçakut ka qenë trillim i shqiptarëve.

Sipas Vuçiç, Todosijeviç është dënuar me dy vjet burgim për shprehje të mendimit të lirë.

“Një serb nga veriu i Kosovës, Ivan Todosijeviç, është dënuar vetëm pse ka thënë të vërtetën – të vërtetën për gjithçka që ka ngjarë dhe për qytetarët e Serbisë”, ka thënë Vuçiç në një video të postuar në profilin e tij në Instagram.

Ndërkaq Todosijeviç më pesë dhjetor 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më dy vite burgim efektiv, i cili dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Me vendimin e shkallës së dytë, dënimi me burgim tashmë është bërë i formës së prerë.

Në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (paragrafi 3.6) përcaktohet që mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Në këtë mënyrë, dënimi i formës së prerë prej dy vitesh do të ndikojë që Todosoijeviç me automatizëm ta humbet mandatin e tij aktual si deputet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore