Lajme

Vuçiç e mbron Todosijeviç-in: E tha të vërtetën për Reçakun


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka dalë në mbrojtje, deputetit të Listës Serbe dhe ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Todosijeviç për deklaratën se Masakra e Reçakut ka qenë trillim i shqiptarëve.

Sipas Vuçiç, Todosijeviç është dënuar me dy vjet burgim për shprehje të mendimit të lirë.

“Një serb nga veriu i Kosovës, Ivan Todosijeviç, është dënuar vetëm pse ka thënë të vërtetën – të vërtetën për gjithçka që ka ngjarë dhe për qytetarët e Serbisë”, ka thënë Vuçiç në një video të postuar në profilin e tij në Instagram.

Vuçiç shtoi se Todosijeviç u dënua nga gjyqtarët shqiptarë, “edhe pse sipas marrëveshjes së Brukselit, ai duhej të gjykohej nga dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptarë”.

“E drejta, si për opinionin e lirë, ashtu edhe për një gjykim të drejtë, që ne nënshkruam me shqiptarët dhe BE -në Bruksel, është shkelur brutalisht dhe rëndë”.

“Unë i bëj thirrje evropianëve, Bashkimit Evropian që t’i thërrasin shqiptarët në Prishtinë dhe t’u thonë atyre ata duhet t’i përmbahen asaj që nënshkruan dhe pranuan”.

Ndërkaq Todosijeviç më pesë dhjetor 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më dy vite burgim efektiv, i cili dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Me vendimin e shkallës së dytë, dënimi me burgim tashmë është bërë i formës së prerë.

Në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (paragrafi 3.6) përcaktohet që mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Në këtë mënyrë, dënimi i formës së prerë prej dy vitesh do të ndikojë që Todosoijeviç me automatizëm ta humbet mandatin e tij aktual si deputet.

Në anën tjetër, ulësen e tij pritet ta zë deputetja e Listës Serbe Dragana Antoniejeviç. Kjo pasi që, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, Antoniejeviç është deputetja me më së shumti vota. Pavarësisht se ajo kishte siguruar 6,919 vota, nuk kishte arritur të siguroi ulësen e deputetes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore