Lajme

Haxhiu: Qeveria ka paraqitur shifra të rrejshme me COVID-19


Bekim Haxhiu

Për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu në dhjetor të vitit të kaluar e në fillim të janarit të këtij viti ka pasur përpjekje nga Qeveria e Kosovës për të paraqitur shifra të rrejshme me COVID-19, duke i zvogëluar ato.

“Duke i kamufluar me grip sezonal, për faktin se simptomatologjia e Omicron dhe gripit sezonal ishte e njëjtë. Kemi me dhjetëra raste kur pacientëve me Omicron iu është dhënë terapia pa i udhëzuar të testohen për COVID. Këta kanë lëvizur lirshëm dhe janë shndërruar në shpërndarës”, ka thënë Haxhiu ne seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet gjendja me pandeminë COVID-19 në Kosovë.

Sipas deputetit opozitar vendimi që në pikat kufitare të kërkohet doza e tretë e vaksinë anti-COVID-19 është e pa logjikshme, pasi sipas tij në vendet fqinje me tri doza janë vaksinuar vetëm 0.5 për qind deri në 1 për qind e popullatës.

“Me këtë vendim 99 për qind e qytetarëve janë të bllokuar, modifikimi i këtij vendimi me dy doza të vaksinës dhe një test PCR negativ është goditja më e madhe që i bëhet procesit të vaksinimit”, ka shtuar ai.

Ai ka pyetur Qeverinë e Kosovës se cila është logjika e masave shtrënguese kufizuese.

“Cila është logjika e mbylljes së gastronomisë kur ke vendosur masa për respektim të distancës dhe numrit të personave të lejuar për tu futur në lokal, cila është logjika e orës policore asnjë e argument shkencore nuk ka se virusi përhapet pas orës 22:00 apo 24:00”, ka shtuar ai.

Ora policore e ka vetë një qëllim për Haxhiun, ndëshkimin e qytetarëve dhe mbushjen e buxhetit të Kosovës.

“Mos u përpiqni që me masa drastike ta justifikoni dështimin procesit të vaksinimit keq menaxhimit me pandeminë dhe keq përdorimin e parasë publike në emër të pandemisë COVID-19”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore