Lajme

Haxhiu fton në takim Sveçlën, drejtorin e Policisë: Vrasjet po ndodhin për shkak të mosndëshkimit nga institucionet përkatëse


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas rastit të dytë brenda pesë ditësh në Kosovë, ku një grua dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj në Pejë, ka thënë se ka ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haxhiu ka thënë se ky rast është “shumë i rëndë, tronditës” dhe “dhimbje të madhe”.

Duke shtuar se “është e patolerueshme”.

“Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjerër edhe mbledhjen e grupit ndërministror”.

“Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, edhe pse janë angazhuar institucionet në këtë drejtim vrasjet e grave s’po ndalen.

“Pavarësisht përkushtimit, masave të ndërmarra, fushatave të iniciuara me qëllim pikërisht barazinë gjinore, vrasjet ndaj grave po vazhdojnë”.

“Shpeshherë dhunuesit janë bërë vrasës pikërisht për shkak të mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse. Vrasjet ndaj grave në Republikën e Kosovës janë bërë fenomen që tejkalon çdo shqetësim”.

Një grua është vrarë të martën në Pejë, ku dyshohet se dorasi është bashkëshorti i saj.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante”.

Nikçi, ka thënë se i dyshuari është arrestuar.

“Jemi në pritje të Mjekësisë Ligjore për të marrë trupin e pajetë”.

Edhe më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Po ashtu, edhe për këtë rast është arrestuar ish-bashkëshorti i saj.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore